Fatmir Limaj u bën thirrje qytetarëve të dalin në zgjedhje

Kandidati për kryeministër të Kosovës nga koalicioni parazgjedhor Nisma-AKR-PD, Fatmir Limaj përmes një video-mesazhi në Facebook, ka kërkuar nga qytetarët të dalin për votim në zgjedhjet e 6 tetorit.

Limaj është shprehur optimist për mbështetjen qytetare ndaj koalicionit të tij me 6 tetor.

“Gjatë këtyre dhjetë ditëve kam pasur rastin të bisedoj me të gjithë ju anekënd Kosovës, ku kemi shpalosur projektin tonë bashkë për shtetin. Definitivisht qytetarët e Kosovës e duan bashkimin, e duan shtetin e fortë dhe si rezultat i saj janë mijëra njerëz anekënd Kosovës të cilët i janë bashkuar projektin tonë bashkë për shtetin.

Mbështetja dhe entuziazmi të cilin unë e kam parë anekënd Kosovës, më ka forcuar bindjen se koalicioni ynë ka një mbështetje të fuqishme anekënd Kosovës”, ka thënë Limaj.

Ndër të tjerash, Limaj ka bërë thirrje qytetarët të respektojnë rregullat zgjedhore.

“Ju ftoj që në mënyrë masive me 6 tetor të dilni të shfrytëzoni të drejtën tuaj qytetare dhe të votoni koalicionin Nisma-AKR-PD me numrin 122. Gjithashtu kërkoj që duke kryer detyrën e juaj qytetare të respektoni kodin zgjedhor, ligjet në fuqi të Kosovës, të ngrisim standardet e zgjedhjeve në Kosovë dhe kështu të shprehet vullneti i qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ai në video-mesazhin e publikuar në Facebook.