(Dokument) 'Vjedhjet' në zgjedhje në Deçan

Monitoruesit e KALLXO.com, të cilët janë duke përcjellë procesin e rinumërimit të votave në Deçan, kanë raportuar për vjedhje në mes kandidatëve në dy shkollat e kësaj komune, në “Vëllezërit Frashëri” dhe në shkollën “Drita”

Në vendvotimin 0101C- 05D në shkollën “Vëllezërit Frashëri” janë konstatuar vjedhje votash në dëm të PDK-së dhe LDK-së.

PDK  në numërimin e votave ka pasur një votë, ndërsa pas rinumërimit ka gjithsej 11 vota.

LDK në numërim ka pasur gjithsej 60 vota, ndërsa pas rinumërimit figuron se ka një votë më shumë.

Në numërimin e votave për kandidatë të PDK-së, në këtë vendvotim, kandidati Elmi Reçica ka pasur një votë, ndërsa pas rinumërimit i është shtuar edhe një votë tjetër. Ramush Agushi, në numërim ka pasur dy vota, ndërsa në rinumërim një votë më pak.

Te koalicioni AAK-PSD,  Ramush Haradinaj në numërimin e votave në këtë vendvotim ka pasur gjithsej 113 vota ndërsa pas rinumërimit ka një votë më pak.

Shkumbin Demalijaj në numërimin e votave ka pasur 35 vota, ndërsa në rinumërim ka një votë më pak.

Kandidatja Time Kadrijaj në numërimin e votave ka pasur 57 vota, ndërsa në rinumërim dy vota më pak. Kurse, Rexhep Kadriu në numërimin e votave kishte 9 vota, ndërsa në rinumërim 8.

Kandidati tjetër për deputet i AAK-së, Bekë Berisha, në numërim të votave figuron se ka 9 vota, ndërsa një votë i është shtuar pas rinumërimit. Ndërsa, Daut Haradinaj në numërimin e votave ka pasur 85 vota, ndërsa një votë më pak ka pas rinumërimit.

Rasim Selmanaj në numërim të votave ka 40 vota, ndërsa pas rinumërimit ka një votë më pak.

Ndryshim në vota ka pasur edhe në partinë e LDK, një votë më shumë ka marrë pas rinumërimit të votave kandidatja Vjosa Osmani, me gjithsej 57 vota.

Kandidati Avdullah Hoti, në numërim të votave ka marrë 8 vota, ndërsa pas rinumërimit ka marrë një votë më shumë. Anton Quni, në numërim kishte 12 vota, ndërsa pas rinumërimit i është shtuar një votë. Kandidati Armend Zemaj kishte 15 vota në numërim, ndërsa një votë më pak ka marrë në rinumërim. E Naser Rugova ka marrë 5 vota në numërim, ndërsa 6 vota ka marrë në rinumërim. Ndërsa kandidati Frashër Demaj në numërim të votave ka marrë 5 vota, ndërsa në rinumërim një votë më shumë.

Në vendvotimin e njëjtë në numërimin e parë të votave Faruk Tetaj, ka qenë kryesues ndërsa, Bujar Cacaj, Endrit Tetaj, Gentonis Sinanaj e Melaqe Muqaj kanë qenë anëtarë.

Komisioni i rinumërimit ka qenë i përbërë  P.J, kryesues, D.J, anëtar, R.M, anëtar, N.A.

KALLXO.com ka vendosur iniciale pasi që nuk janë kuptuar shkrimet e anëtarëve dhe kryesuesit.

Në vendvotimin me numër 0103C- 03R në Deçan, ndryshim të votave kanë pasur për nga 1 pikë vetëm koalicioni AAK-PSD. Në numërim ky koalicion kishte 230 vota ndërsa në rinumërim 229 vota.

Në Partinë Liberale Egjiptiane, kandidati Veton Berisha ka pasur një votë më pak në rinumërim, gjithsej 9 vota. Sendiana Rexhaj, në rinumërim ka fituar 2 vota, Avdullah Brahimi ka marrë një votë në rinumërim, njëjtë edhe Albërina Seferaj. Hyseni Fetaj në rinumërim nga 0 kishte marrë 2 vota ndërsa Faruk Alijaj katër vota kishte në rinumërim.

Te kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës, ndryshime në vota ka pasur vetëm Elmi Reçica nga katër vota sa kishte në numërim, 3 kishte marrë në rinumërim.

Ndryshim më të madh në vota në këtë vendvotim kishte Ramush Haradinaj, i cili nga 217 vota sa i kishte në numërimin e parë, ai më pas kishte rënë në 209 vota. Visar Ymeri në numërim kishte 8 vota ndërsa në rinumërim 7. Donika Kadaj- Bujupi nga 26 sa kishte në numërimin e parë në rinumërim ra në 23 vota, te Shkumbin Demaliaj ndryshimi ishte për një votë nga 109 në 108.

Edhe te Natyra Kuçi ndryshimi ishte për një votë nga 20 në 19, Genc Bashota kishte një votë në numërim dhe në rinumërim nuk kishte asnjë votë. Njëjtë ishte edhe Idriz Selimaj, ndërsa Salih Lajqi nga dy vota sa kishte në numërim ra në një pas rinumërimit të 314 kutive.

Alush Shala në rinumërim kishte 9 vota ndërsa në rinumërim 10 vota, Jeton Zogjani nuk kishte asnjë votë në këtë vendvotim por pas rinumërimit ai mori një votë, e Vlora Jashanica kishte një votë dhe në rinumërim mbeti pa asnjë.

Te kandidatët e NISMA-AKR, Behgjet Pacolli kishte pasur një votë ndërsa në rinumërim 0 vota. Njëjtë ishte edhe për Valdrin Llukën, Musa Dervishajn ndërsa Shkodran Imeraj kishte gjashtë vota ndërsa në rinumërim mbeti me 5 vota.

Te kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje, ndryshime në vota kishin Arijeta Rexhepi e cila në numërim kishte një votë ndërsa në rinumërim mbeti pa asnjë, e Qemajl Aliu në numërim nuk kishte asnjë votë ndërsa në rinumërim mori një votë.

Kandidatët e LDK-së ishin më shumë në numër te të cilët u panë ndryshime në vota gjatë numërimit dhe pas rinumërimit.

Kujtim Shala në numërim kishte 13 vota ndërsa në rinumërim 14, Lumir Abdixhiku  kishte 10 vota ndërsa në rinumërim mbeti me 9 vota, Besa Gaxherri kishte 12 vota ndërsa pas rinumërimit mbeti me 10 vota.

Armend Zemaj pas një rinumërimi mori dy vota më pak, nga 19 në 17.

Në Deçan pati vota edhe për kandidatët e LDK-së nga Gjilani. Valentina Bunjaku mori një votë në këtë vendvotim pas rinumërimit. Xhavit Rexhaj nga 12 vota në rinumërim mori  11 vota.

Ardian Shalaj nga 9 vota mori 8 në rinumërim e Rrezarta Krasniqi kishte një votë në numërim ndërsa mbeti pa asnjë votë në rinumërim.

Edhe te Sali Cacaj ndryshimi ishte vetëm për një votë nga 26 sa kishte në numërim mbeti me 25 në rinumërim.

Kryesues i këtij vendvotimi në numërimin e parë ka qenë Avni Rexhaj ndërsa anëtarët e komisionit ishin Granit Agaj, Valbon Pishukaj, Arxhend Mataj, Lekë. O.

Komisionerët në rinumërim kanë qenë të përbërë nga kryesuesi Gëzim Haliti, anëtarët Agnesë Hajdini, Fitim Balaj, Nasuf Pllana e Shkurte Hodolli.

Në vendvotimin me numër 0103C-01R në komunën e Deçanit, në rinumërimin e 314 vendvotimeve, AAK- PSD mori nga 2019 vota në 2018.

Lidhja Demokratike e cila kishte 3 vota ra në dy vota pas rinumërimit.

Te kandidatët për deputetë, te Partia Liberale Egjiptiane, ndryshime pati pas rinumërimit te Veton Berisha, Artan Berisha, Smajl Demaj e Havë Fazliaj, të gjithë këta në rinumërim morën nga një votë më pak.

Edhe te Partia Demokratike e Kosovës, kandidatët morën nga një ose dy vota më pak, Kadri Veseli nga 18 vota në numërim në rinumërim mori një votë më shumë, ndërsa Xhavit Haliti nga 3 në rinumërim ra në dy vota.

Edhe Safete Hadërgjonaj nga 18 vota sa kishte në numërimin e parë pas rinumërimit ra në 16 vota ndërsa Florenta Zejnullahu mori një pikë pas rinumërimit. Hisen Berisha nga katër vota sa kishe marrë gjatë numërimit, në rinumërim atij iu  hoq një votë mbeti me tri, një votë më shumë në rinumërim mori Naim Fetahu nga 6 në 7 vota.

Te AAK-PSD, Ramush Hradinaj në numërim kishte 205 vota ndërsa në rinumërim katër vota më pak. Magbule Shkodra nga 19 vota ra në 18 vota në rinumërim. Pal Lekaj në këtë vendvotim nga 15 vota ra në 13 ndërsa Dukagjin Gorani mori një votë më shumë pas rinumërimit.

Burbuqe Bakija në numërim kishte 16 vota ndërsa në rinumërim mbeti me 15 vota. Edhe Gazmend Abrashi kishte gjashtë vota e pas rinumërimit mbeti me 5 vota. Dy vota më pak në rinumërim mori Shkumbin Demalija nga 106 në 104. Driton Bardheci e Time Kadrija kishin ndryshime vetëm me nga një votë.

Blerim Kuçi nga dy vota në rinumërim mbeti me vetëm një votë ndërsa e kundërta ndodhi me Bajram Hasanin.

Erolld Belegu nga dy vota në rinumërim mbeti me vetëm një votë, e edhe Gani Dreshaj e pësoi njëjtë pas rinumërimit mbeti pa asnjë votë nga një sa kishte.

Edhe te Bekë Berisha ndryshimi ishte vetëm për një votë, nga 19 ai në rinumërim mori 20 vota, te Rrustem Berisha gjatë rinumërimit ra në një votë ndërsa te Daut Haradinaj ndryshimi ishte për dy vota.

Edhe te Rasim Selmanaj nga 117 vota në rinumërim mori 120 vota ndërsa Gegë Lleshi nga 26 vota në rinumërim mori 28 vota.

Te Lahi Brahimaj u vërejt një ulje e votave nga 17 sa kishte në numërim në rinumërim mbeti me 11 vota.

Faton Xhemi mbeti me një votë nga dy sa ishin ndërsa edhe Arber Tolaj nga 43 u ngrit në 45 vota.

Te NISMA, ndryshim në vota pati për Skender Reçicën i cili nga asnjë votë pas rinumërimit mori dy vota.

Te LDK, Vjosa Osmani pati 59 vota ndërsa pas rinumërimit mbeti me 58 vota. Njëjtë një votë ndryshim pati edhe Arban Abrashi, Armend Zemaj, Flora Dumoshi, Elmirë Nikçi, Ibrahim Kryeziu, Ruzhdi Shehu e Sali Cacaj.

Në këtë vendvotim gjatë numërimit kryesuesi i komisionit ishte Edona Kumnica ndërsa anëtarët ishin Mirjeta Makolli e Eni Popaj.

Komisioni i vendvotimit gjatë rinumërimit ishin kryesues Valmir Agaj, ndërsa anëtarët ishin Adem Malaj, Xhevat Mataj, Ngadhnjim Selmonaj, Shaban Sadrijaj dhe Kastriot Pajazitaj.

Sqarim:

Kryesuesi i vendvotimit 0103C/01R ka reaguar në adresën e KALLXO.com, duke kundërshtuar çdo implikim të qëllimshëm të anëtarëve të komisionit në rezultatin e partive dhe kandidatëve.

Kryesuesi Valmir Agaj ka thënë se këto gabime janë të natyrës teknike dhe është i gatshëm t’u përgjigjet organeve kompetente nëse është e nevojshme për të sqaruar se nuk ka pasur devijim apo tjetërsim të qëllimshëm të votës!

“Kërkoj nga ana juaj që ta publikoni reagimin tim ngase kam punuar në 6 palë zgjedhje e kurrë s’kam marrë vërejtje për këso dhe e kam ndërgjegjen e pastër sepse nuk kam bërë padrejtësi ndaj askujt”, ka thënë Valmir Agaj.

Gjithashtu, kryesuesi i vendvotimit 0101C- 02R, Faruk Tetaj (PDK) ka reaguar duke thënë se në vendvotimit e tij “nuk është vjedhur asnjë votë”

“Nuk është vjedhur po ka pasur një gabim teknik ne pershkrurjen e votav edhe me fajin e formularëve qe kanë qenë me gabime, ku në subjektin politik PDK kemi gabuar në pershkruarjen e votave. Ne formularin e Kivoti janë përshkruar të gjitha votat pa gabime teknike”, ka thënë Tetaj.