Daut Haradinaj: Qytetarët e Dukagjinit janë trajtuar si ‘Metohija’ e Ish- Jugosllavisë

Daut Haradinaj, kandidat i AAK-së për deputet, në DebatPernime, ka thënë që projekti për autostradën e Dukagjinit do të jetë ai i cili do ti jap fund izolimit për qytetarët e Dukagjinit, të cilët sipas tij janë ‘injoruar’ nga qeveritë e kaluara.

“Projekt i madh është autostrada e Dukagjinit për të cilin ne nuk do të heqim dorë, do ta ndërtojmë për shkak se gjithë ajo pasuri e Kosovës nuk është shfrytëzuar tash e 20 vjetë”, ka thënë ai.

Ndërsa i pyetur nga moderatoja Jeta Xharra sesi projekti për autostradën e Dukagjinit do të gjeneroj vende të reja të punës, ka thënë se pa këtë autostradë banorët janë të izoluar.

“Kjo gjeneronë vende të reja të punës për shkak që ne po flasim për 624 mijë banorë që janë izoluar dhe janë trajtuar nga të gjithë qeveritë e kaluara si ‘Metohija’ e Ish –Jugosllavisë”, ka thënë ai.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra është mbajtur për dhjetë ditë rresht sa ka zgjatur edhe fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 6 tetor.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit.

Kandidatët për deputetë do të ballafaqohen me pyetje nga publiku, ekspertë, analistë e qytetarë të tjerë.

Pjesë e këtij debati do të jenë: Haki Abazi- Vetëvendosje, Hykmete Bajrami- Lidhja Demokratike e Kosovës, Daut Haradinaj- Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Valdrin Lluka -AKR NISMA PD.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV 21 dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.