isa Xhemajlaj - Foto: Atdhe Mulla

Dallim votash nga rinumërimi, anëtari i Nismës akuzon komisionerët e Drenasit

Isa Xhemajlaj, anëtar i Nisma Socialdemokrate ka reaguar ndaj asaj që po e quan manipulim me vota për koalicionin AKR-Nisma.

Xhemajlaj ka publikuar një fotografi të formularit të vëzhguesve të koalicionit gjatë rinumërimit të votave në një nga kutitë e votimit në Drenas ku shkruhet se ky koalicion kishte marrë 1 votë në numërimin e parë dhe 50 pas rinumërimit.

“Ky është vetëm një shembull nga dhjetëra të tillë se si qëllimshëm dëmtohet NISMA në Drenas”, shkroi Xhemajlaj në Facebook.

Ai tha se Prokuroria duhet t’i intervistojë Komisionerët dhe menaxherin  e  KKZ- së në Drenas për anëshmerinë e tyre politike gjatë zgjedhjeve.

Sipas tij raste të ngjashme ka  edhe në Abri, Arllat,Nekoc,Komoran dhe shumë qendra tjera votimi.

“Kjo  dukuri e vjedhjes së votave që po na përcjell në Drenas në të gjitha zgjedhjet Lokale dhe Qëndrore  duhet të marrë fund”, përfundoi Xhemajlaj.

Momentalisht në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, janë duke u rinumëruar 530 vendvotime ku sipas KQZ ka pasur gabime.

Koalicioni Nisma- AKR po e pret rezultatin për të determinuar nëse do të kalojë pragun zgjedhor.