Cilat ishin premtimet dhe zotimet e partive gjatë fushatës?

Me fillimin zyrtar të fushatës zgjedhore, filloi edhe cikli i debateve #DebatPernime me Jeta Xharrën.

Nga debati i parë deri te debati i fundit i cili u transmetua një natë para se të fillonte heshtja zgjedhore, partitë dhe koalicionet kanë shpalosur programet e tyre qeverisëse.

Në këto debate kanë qenë të pranishëm të gjithë kandidatët për kryeministër me ekipet e tyre, me përjashtim të kandidatit për kryeministër nga PDK, Kadri Veseli.

Kandidatët për kryeministër, Albin Kurti, Vjosa Osmani, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj, në një format ndryshe të #DebatPernime kanë prezantuar programet e tyre duke u sfiduar edhe nga pyetjet e ekspertëve dhe publikut. Secili prej tyre me vete ka pasur edhe ekipin nga 5 deri në 10 persona të cilët kanë folur për sektorë të ndryshëm.

Debatet e tjera kanë pasur tema të veçanta, duke filluar nga politika e jashtme, sundimi i ligjit, arsimi, shëndetësia, kultura, sporti, zhvillimi ekonomik dhe punësimi, ku kanë qenë të ftuara të gjitha partitë, me përjashtim të atyre të cilët nuk kanë dërguar përfaqësues.

Në gjithë ciklin prej 10 debateve, ekipi i KALLXO.com ka mbledhur të gjitha premtimet e kandidatëve për kryeministër dhe kandidatëve për deputetë të cilët kanë folur në #DebatPernime.

Të gjitha këto premtime mund t’i gjeni të përmbledhura më poshtë në bazë të temave të cilat janë trajtuar nëpër debate.

Tashmë sipas rezultateve preleminare, fituese e këtyre zgjedhjeve të jashtëzakonshme është Lëvizja Vetëvendosje, e pasuar nga LDK. Të gjitha premtimet e Lëvizjes Vetëvendosje dhe partnerëve të koalicionit, të cilët ende nuk dihen, do të maten me KRYPOMETËR, matësin e të vërtetës.

Premtimet e Lëvizjes Vetëvendosje

Në ciklin e debateve #DebatPernime, në të cilin ka qenë i ftuar tashmë fituesi i zgjedhjeve parlamentare, Albin Kurti me ekipin e tij, Kurti ka premtuar pesëfishimin e numrit të inspektorëve.

Po ashtu Kurti ka thënë se Vetëvendosje përveç inspektorëve të punës do të pesëfishojë inspektorët e shëndetësisë, ambientit dhe ndërtimit.

Lëvizja Vetëvendosje ka premtuar rritje të re të pagës për mjekët.

Pagat e mjekëve do të rriten në koeficientin 6 dhe kjo sipas kandidatit për deputet nga Vetëvendosje, Arben Vitia, do të kushtojë më pak se 20 milionë euro.

Kurti ka premtuar fond prej 40 milionë euro për efiçiencë të energjisë dhe këtë do ta bëjë në katër vjetët e mandatit.

Lëvizja Vetëvendosje në programin e saj qeverisës ka paraparë shkollim parashkollor për të gjithë fëmijët në Kosovë. Ata gjithashtu kanë premtuar shkollim të lartë pa pagesë.

Arbërie Nagavci, kandidate për deputete nga LVV ka thënë se shkollimi për këtë kategori do të jetë pa pagesë.

Kandidatja për deputete nga radhët e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu shpalosi programin e partisë së saj për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ajo tregoi se nëse VV merr qeverisjen do të fillohet programi i vetingut për sistemin gjyqësor, prokurorial dhe policor.

Të ftuar në debat kanë qenë: Albin Kurti, Glauk Konjufca, Albulena Haxhiu, Liburn Aliu, Fitore Pacolli, Hajrullah Çeku, Arbërie Nagavci, Hekuran Murati, Saranda Bugujevci, Arben Vitia dhe Yllza Hoti.

 

Premtimet e LDK-së

Në ciklin e #DebatPernime, përballë Jata Xharrës, kandidatja për kryeministre nga LDK ishte shprehur e sigurt që nuk ka shans për një koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës.

Derisa po diskutohej për profesorët të cilët kanë publikuar punime shkencore mashtruese, Jeta Xharra kërkoi nga kandidatja për kryeministre nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, të dijë nëse do të mbaj më shumë se një pozitë pune kur të marrë postin e kryeministres.

Kjo pyetje erdhi pasi që Osmani tha se është ligjëruese në një universitet në SHBA.

“Jo, jo sigurt tashmë edhe kam kërkuar pushimin pa pagesë. Vetëm ta shpjegoj se unë kam hyrë në universitet para se të jem në politikë. Tash kjo rregullohet me ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit. Ka pasur ide për parandalimin e një ideje që kur dikush që është në politikë, në qeveri e kuvend me parandalu nuk është që jam kundër një gjëje të tillë”, tha ajo.

Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani në Debatit Pernime ka “thumbuar” kryeministrin në largim sa i përket dialogut me Serbinë.

Osmani deklaroi se nuk të hezitojë të marrë përsipër detyrat kushtetuese për të drejtuar dialogun.

“Do të keni një kryeministre dhe një qeveri që nuk do të hezitoj t’i marrë përsipër detyrat e veta kushtetuese qoftë në dialogun me Serbinë qoftë në raportet tjera”, tha Osmani.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka hartuar një plan specifik për arsimin parauniversitar. Xhavit Rexhaj, kandidat për deputet nga LDK-ja prezantoi në #DebatPernime programin e LDK-së për arsim.

Sipas tij, drejtorët e shkollave duhet të kenë kontrata të përhershme që të mos varen nga politika.

Vjosa Osmani tha se sistemin e drejtësisë e konsiderojnë si para-shtyllë qeverisëse duke thënë se do të vënë në funksion planin e LDK-së që quhet “Drejtësia 23”.

Osmani deklaroi se do të fillojë me vetingun e përgjithshëm për gjyqësorin, prokurorinë dhe policinë.

 

Premtimet e koalicionit AAK-PSD 

Në #DebatPernime, Jeta Xharra e pyeti Haradinajn nëse do të heqë dorë nga armët. Por Haradinaj me qëndrimin e tij për traditë të armëve nuk e dha këtë premtim.

Ai madje tha se ligjet duhet të jenë si në Teksas dhe njerëzit të kenë të drejta të armëve.

Kandidati për deputet i koalicionit AAK-PSD, Besnik Tahiri deklaroi se në qeverisjen e ardhshme të koalicionit AAK- PSD do të fuqizohet ekonomia dhe punësimi nëpër komunat e Kosovës.

Haradinaj në #DebatPernime përballë Jeta Xharrës, premtoi se një e treta do të jenë gra në qeveri.

“Një e treta pajtoj që minimum duhet me qenë. E premtoj publikisht që po”, tha Haradinaj.

Shefi i Kabinetit të kryeministrit në largim Ramush Haradinajt, Selim Selimi, dha premtim se në qeverisjen Haradinajt do të ketë rritje të numrit të policëve, gjykatësve e prokurorëve.

“Në mandatin e ardhshëm në program të Ramush Haradinajt është 2 mijë policë shtesë, ligji për pensionimin e parakohshëm të policisë, ligji për sigurimet policore, shtimi i 100 prokurorëve dhe shtimi i 100 gjykatësve, neve na duhet forcmimi në kapacitete”, thekosi ai.

Koalicioni parazgjedhor AAK-PSD ka një plan specifik për arsimin e lartë.

Driton Çaushi, kandidat për deputet tha se me qeverisjen e tyre, stafi akademik në arsim të lartë do t’i nënshtrohet një vetingu.

Sipas tij do të ketë kontroll të rreptë lidhur me plagjiatin nga profesorët dhe dënime për ata që kryejnë plagjiat.

Kandidati për deputet nga radhët e PSD-së, Salih Salihu, ka thënë se sektori i bujqësisë në Kosovë do të rimëkëmbet duke u fuqizuar fermeri vendor.

Po ashtu, Salihu ka premtuar pesë akumulime, ndërsa produkteve bujqësore do t’u shtohet afati i qëndrueshmërisë.

Të ftuar në debat kanë qenë: Ramush Haradinaj, Besnik Tahiri, Selim Selimi, Besa Luzha, Pranvera Ejupi-Hajzeraj, Anton Berisha, Shqipe Pantina, Driton Çaushi, Besa Baftiu, Salih Salihu dhe Shyqiri Bytyqi.

 

Premtimet e koalicionit Nisma Socialdemokrate-AKR-PD 

Profilizimi i universiteteve publike dhe shkollimi profesional janë prezantuar si pjesë e programit të koalicionit Nisma Socialdemokrate-AKR-PD të cilin e ka prezantuar në #DebatPernime përballë Jeta Xharrës.

Albulena Balaj-Halimi, kandidate për deputete tha se do të investojnë në çerdhe dhe shkolla profesionale.

Ajo tha se universitetet publike nuk duhet të ofrojnë programet e njëjta me njëra tjetrën.

“Duhet të bëhet profilizimi i universitetit dhe jo të gjithë të kenë programet e njëjta”, tha ajo.

Partia e Limajt ka premtuar rritjen e buxhetit në 3.5 miliardë euro.

Kandidati për deputet nga koaliciaoni Nisma Socialdemokrate-AKR-PD, Agim Çaka, ka thënë se Kosova në vitin 2020 do të ketë sigurime shëndetësore.

Çaka ka thënë se zbatimi i Ligjit të sigurimeve shëndetësore do ta rriste edhe buxhetin në shëndetësi.

“Në vitin e parë të mandatit do t’i funksionalizojmë sigurimet shëndetësore në mënyrë që buxheti i mbledhur do ta rriste edhe buxhetin në shëndetësi, pasi veç ekziston ligji, por nuk ka gjetur zbatim”, ka thënë Çaka.

Të ftuar në debat janë: Fatmir Limaj, Skender Reçica, Bekim Brestovci, Valdete Bajrami, Arbëreshë Krasniqi, Agim Çaka, Albulena Balaj-Halimaj, Vesel Krasniqi, Aferdita Gjonbalaj, Fehmi Hysenaj.

 

Tarifa, dialogu dhe politika e jashtme

Në ciklin e debateve #DebatPernime, që janë zhvilluar gjatë fushatës zgjedhore është debatuar edhe për tarifën, dialogun dhe politikën e jashtme. Në këtë debat, Nisma Socialdemokrate, PDK dhe AAK-PSD janë përplasur në lidhje me atë se kush i ka meritat për vendosjen e tarifës 100% ndaj mallrave serbe dhe atyre boshnjake.

Kandidatja për deputete nga PDK, Blerta Deliu- Kodra, tha se pagat janë rritur nga Hashim Thaçi sa ishte kryeministër.

Kjo deklaratë erdhi pasi që kandidati i AAK-së, Besnik Tahiri tha se rritja e pagave janë suksesi më i madh që i ka ndodhur Kosovës.
Kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Faton Peci, në emisionin theksoi se tarifa ndaj produkteve serbe dhe boshnjake ka ardhur si përpjekje për të fshehur dështimet dhe abuzimet financiare nga qeveria e PAN-it.

Peci po ashtu tha se tarifa ka ardhur pas dështimit të liberalizimit të vizave  dhe mospranimit në INTERPOL.

Të ftuar në debat kanë qenë: Arben Gashi-Faton Peci LDK,  Mimoza Kusari-Xhelal Sveqla VV,  Besnik Tahiri-Donika Kadaj AAK-PSD, Zafir Berisha dhe Arbresha Krasniqi Nisma-AKR, Arben Gecaj-Blerta Deliu PDK, Numan Baliq dhe Fahredin Maxhedoviq SDA.

 

Zhvillimi ekonomik dhe punësimi

Në ciklin e debateve #DebatPernime, janë prezantuar programet e partive dhe koalicioneve për zhvillimin ekonomik dhe punësimin në Kosovë.

Kandidatja për deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Besa Gaxherri ka thënë se me qeverisjen e partisë së saj do ta zhvillojnë ekonominë kosovare dhe do ta rrisin buxhetin në 3 miliardë euro brenda mandatit.

Bajram Hasani dhe Magbule Shkodra nga AAK kanë folur për akcizën në duhan.

“Kur krijohen ligjet krijohen për të gjithë. Nuk flasim për kompani konkrete dhe çdo kush mund të investoj në industrinë e duhanit”, ka thënë Bajram Hasani, kandidat për deputet nga AAK.

Dy kandidatët për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Mentor Hyseni dhe Hekuran Murati kanë thënë se politikat ekonomike të kësaj partie synojnë përkrahjen e bizneseve dhe prodhuesve vendor.

Kandidati për deputet nga PDK, Lulzim Rafuna deklaroi se nuk do të bashkojnë Doganën me ATK-në por që do të krijojnë një Agjenci për mbledhjen e TVSh-së.

Lëvizja Vetëvendosje do të shpenzoj më pak para publike sesa që janë shpenzuar deri më tani.

Kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Hekuran Murati ka folur rreth tatimit në pagë. Sipas tij, tatimi në pagën më të lartë i cili është 10% nuk do të ndryshoj.

Pjesë e këtij debati kanë qenë: Valdrin Lluka nga koalicioni Nisma/AKR/PD, Magbule Shkodra dhe Bajram Hasani nga koalicioni AAK/PSD, Besa Gaxherri nga LDK, Hekuran Murati dhe Mentor hyseni nga VV, Lulzim Rafuna nga PDK, Asllan Kryeziu dhe Kenan Aliu nga PDAK

 

Arsim, kulturë dhe sport

Përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosjes në #DebatPernime, Yll Rugova tha se në planprogramin e VV-së është edhe ndërtimi i stadiumit të përfaqësueses së Kosovës.

“Stadiumi nacional e kemi në program, do të ndërtohet stadiumi i përfaqësueses së Kosovës, do ta ndërtojmë gjithsesi e kemi pjesë të planprogramit dhe stadiumi në Mitrovicë do të ndërtohet”, tha Rugova.

Kandidati për deputet nga radhët e koalicionit AAK-PSD, Shyqiri Bytyqi ka thënë se nëse koalicioni i tij qeverisë me vendin do të ndërtohen tri stadiume futbollistike.

“Tashmë e kemi një stadium që duhet të përmirësohet është tjetri në Mitrovicë që mund të bëhet dhe stadiumi kombëtar që duhet të ndërtohet. Mandati jonë do t’i bëj dy stadiume lokale dhe një kombëtar”, ka thënë ai në #DebatPernime.

Ai premtoi edhe shtimin e inspektorëve në arsim. Ndërsa tha se brenda pesë viteve do të kryhet edhe testimi dhe rivlesimi i mësimdhënësve.

Anëtari i PDK-së dhe ministri në detyrë i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Muzafer Shala ka thënë se partia të cilën e udhëheq Kadri Veseli do t’i ndërtoj 300 çerdhe në nivel vendi nëse arrin të qeverisë me vendin.

Kandidati për deputet nga koalicioni AKR- NISMA- PD, Vesel Makolli ka premtuar se rivlerësimi dhe testimi i mësimdhënësve do të bëhët për dy vjet nëse ky koalicion arrin të qevërisë në mandatin e ardhshëm.

Po ashtu, Makolli ka premtuar se stadiumet do të kenë standarde të UEFA-s për gjashtë muaj e më së largu një vit në qevrisjen e këtij koalicioni.

Pjesë e këtij debati ishin: Shyqiri Bytyqi dhe Besa Luzha nga koalicioni AAK-PSD, Xhavit Rexhaj dhe Faton Peci nga LDK, Yll Rugova dhe Venera Llunji nga Lëvizja Vetëvendosje, Kujtim Gashi e Muzafer Shala nga PDK dhe Rexho Kojiq e Anesa Çollakoviq, NDS (Nova Demokratska Stranka/Partia e re Demokratike), Vesel Makolli nga AKR-NISMA.

 

Shëndetësi dhe mjedisi

Në #DebatPernime për shëndetësi dhe mjedis, LDK ka premtuar se nuk do të shiten më barna pa banderola, si dhe do të ndalen tërësisht barnat nga Kina dhe India.

Po ashtu, ka premtuar se nuk do të ketë më blerje të barnave pa banderolave si dhe SISh-i do të funksionalizohet në dy vitet e para të qeverisjes nëse LDK merr mandatin në zgjedhjet e 6 tetorit.

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për deputet, Haxhi Avdyli në #DebatPernime ka deklaruar se sistemit shëndetësor do t’i jepet një injeksion financiar.

Ai ka bërë të ditur se një pjesë e këtij ‘injeksioni financiar’ do të shkoj në krijimin e ambulantave dhe mjekëve.

“Një pjesë të kësaj shtese financiare do ta orientojmë drejtë mjekësisë familjare, fuqizimin e mjekësisë familjare, duke krijuar ambulantë dhe mjekë”, ka thënë tutje Avdyli.

Lëvizja Vetëvendosje ka premtuar se do të investojë 120 milionë euro në shëndetësi gjatë mandatit 4 vjeçar.

Përfaqësuesi i koalicionit AAK-PSD, Artan Ahmeti i ftuar në #DebatPernime ka thënë se buxheti i tanishëm nëse menaxhohet mirë nuk do të ketë probleme të buxhetit të shëndetësisë.

“Pa sigurime shëndetësore nuk ka zgjedhje për problemet e pacientëve me barna dhe materiale shpenzues dhe me menaxhim të mirë këtij buxheti që është sot duke pasur parasysh që kompanitë furnizuese asnjëherë nuk kanë qenë të interesuara”, ka thënë Ahmeti.

Pjesë e këtij debati kanë qenë: Mirlinda Sopi e Leutrim Sahiti (NISMA-AKR- PD), Artan Ahmeti e Fiknete Bejta (AAK-PSD), Haxhi Avdyli (LDK), Fatmire Kollçaku e Arben Vitia (VV) dhe Uran Ismaili (PDK).

 

Sundim i ligjit dhe siguri

Në #DebatPernime janë prezantuar programet e partive për sundim të ligjit dhe siguri.

Kandidati për deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka deklaruar se në rast se LDK do të vijë në pushtet do të bëj vlerësimin dhe rishikimin e sistemit të drejtësisë. Gashi ka thënë se do të bëhet veting në Polici, Prokurori e Gjykatë.

Pjesë të programit të prezantuar të LDK-së është edhe themelimi i një zyre shtetërore të hetimit që do t’i ketë 4 shtylla, përfshirë këtu anti-korrupsionin dhe hetimin vrasjeve politike.

Ministri në largim i Drejtësisë, Abelart Tahiri, ka thënë se PDK e ka një plan shtatë pikësh, ndër to pika kryesore është byroja kundër korrupsionit, reforma në sistemin prokurorial e gjyqësor.

Në programin e tyre ishte edhe reforma e thellë në Agjencinë Kundër Korrupsionit dhe listës së të deklaruarve të pasurisë, ministrit, deputetit, zyrtarëve të lartë shtetërorë t`u verifikohet pasuria në mënyrë të përvitshme.

Pjesë e debatit kanë qenë: Burim Ramadani dhe Selim Selimi nga koalicioni AAK-PSD, Arben Gashi e Driton Selmanaj nga LDK dhe Abelard Tahiri nga PDK.

 

Përballja e fundit

Në përballjen e fundit në #Debat Pernime, kanë debatuar Daut Haradinaj nga koalicioni AAK-PSD, Hykmete Bajrami nga LDK, Haki Abazi nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Valdrin Lluka nga koalicioni Nisma-AKR-PD.

Ministri në detyrë i Zhvillimit Ekonomik dhe kandidati për deputet nga koalicioni Nisma-AKR-PD, Valdrin Lluka, në #DebatPernime ka dhënë shpjegimet sesi koalicioni i tij synon t’i hapë vendet e reja të punës.

“Vendet e punës gjenerohen duke i thithur më shumë investime të huaja, duke përkrahur bizneset vendore dhe duke e rritur eksportin”, ka thënë ai.

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet, Haki Abazi premtoi 2 mijë grante në vlerë prej 20 milionë euro për të rinjtë e inovacionit dhe teknologjisë të cilët kanë ide dhe që munden me u kyç drejtpërsëdrejti në tregun e punës.

Ndërsa kandidatja për deputete nga LDK, Hykmete Bajrami, ka premtuar se kjo parti do të japë nga 100 euro për secilin muaj për fëmijët e posalindur deri kur ata t’i mbushin një vit.

Sipas premtimit të Bajramit, këto familje do të përfitojnë 1200 euro në vitin e parë të lindjes të çdo fëmije.

Kandidati i AAK-së për deputet, Daut Haradinaj duke folur për sigurinë e ushqimeve në vend ka thënë se faji për sigurinë e ulët të produkteve fillon nga doganat e deri tek marketet të cilat i shesin këto produkte.

Ai premtoi heqjen e taksës për prodhuesit vendor në Kosovë.

 

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!