Arben Vitia premton rritje rrogash për mjekët

Lëvizja Vetëvendosje ka premtuar rritje të re të rrogës për mjekët.

Pagat e mjekëve do të rriten në koeficient 6 dhe kjo sipas kandidatit për deputet nga Vetëvendosje, Arben Vitia thotë se do të kushtojë më pak se 20 milion euro.

Në mbrëmjen e sotme në DebatPernime, Vitia premtoi se do të rriten rrogat e mjekëve dhe do të barazohen pagat me të punësuarit me Bachelor.

“Në çdo pikë të programit por s’kisha kohë për shkak të laborimit përmendet dinjiteti i punëtorit shëndetësor. Sa i përket rritjes së pagave të punëtorëve shëndetësor nuk do të ketë as më pak as më shumë se sa atë që e kanë kërkuar vetë punëtorët shëndetësor. Për shembull punëtorët shëndetësorë kanë kërkuar koeficient 6 dhe i është bërë 5. Ne do të ia bëjmë 6 dhe sipas llogaritjeve të Hekuran Muratit pasi jam unë mjek kjo do të kushtoj më pak se 20 milion euro”, tha Vitia.

Ai shtoi se nuk do të jetë e nevojshme libreza partiake për t’u punësuar në sektorët e shëndetësisë.

“E dyta transparenca sidomos në punësime, është shumë e lehtë që sot të bëhet intervistomi testimi dhe të eliminohet kjo puna e librezave partiake që ka ekzistuar deri më tani. S’do të ketë punësime me libreza partiake në qeverinë Kurti në shëndetësi. Me këto trajtime mjeku dhe personeli shëndetësor dhe stafi i mesëm i cili është shtylla kurrizore do të ketë të gjitha mundësitë ta zhvillojnë aktivitetin siç është më së miri”, tha ai.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahen për dhjetë ditë rresht sa do të zgjasë zyrtarisht fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë të cilat do të mbahen më 6 tetor.

Kandidatët për kryeministër si dhe kandidatët për deputetë nga partitë të cilat janë në garë do të ballafaqohen para Jeta Xharrës ku edhe do të shpalosen programet e tyre qeverisëse.

Të ftuar në debat janë: Albin Kurti, Glauk Konjufca, Albulena Haxhiu, Liburn Aliu, Fitore Pacolli, Hajrullah Çeku, Arbërie Nagavci, Hekuran Murati, Saranda Bugujevci, Arben Vitia, Yllza Hoti.

Debat Pernime do të fillojë çdo ditë nga ora 20:30 në Televizionin 21 dhe live në Facebook të KALLXO.com.