Arben Vitia kritikon Uran Ismailin për ‘dështimet e Ministrisë së Shëndetësisë'

Ish drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Arben Vitia në Debat Pernime ia ka përmendur, sipas tij, dështimet që i ka pasur Ministria e Shëndetësisë e qeverisur nga Uran Ismaili i PDK-së.

“Ministri thotë herë 18 muaj herë 24 muaj e kam marrë detyrën. Një udhëzim administrativ për KPSH që nuk është bërë që 1 vit e gjysëm e ka mund të bëhet, SISH-i i dështuar, e që tash në fusahtë thatë se do të bëhet një SISH (Sistemi Informativ Shëndetësor)  tjetër, asnjë hap konkret për sigurime shëndetësorë për 2 vite e tash thotë se do e bëjë për 2 muaj, që është tragji-komike. Pa 2 vite drejtor QKUK-ja e tash thotë që do ta bëjë”, ka thënë Arben Vitia në Debat Pernime.

Ministri në detyrë, Uran Ismaili iu është përgjigjur duke thënë se në SISH ka dështuar LDK e jo PDK.

“E kam ftuar për udhëzimin e KPSH-së, ka qenë në takim, e di sa këna pasë problem, sepse nuk kanë leju gjinekologët që pediatrat me shku në komuna të vogla. SISH-in se kam dështuar unë, e ka dështuar LDK-ja. Për 15 vite, s’keni arritë me ba kurgjo. Veç Prishtina ka funksionuar, sot funksionojnë 24 komuna”, është përgjigjur Uran Ismaili nw Debat Pernime.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra është mbajtur për dhjetë ditë rresht sa ka zgjatur edhe fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 6 tetor.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit.

Kandidatët për deputetë do të ballafaqohen me pyetje nga publiku, ekspertë, analistë e qytetarë të tjerë.

Pjesë e këtij debati do të jenë: Arlinda Sopi e Leutrim Sahiti (NISMA-AKR- PD), Artan Ahmeti e Fiknete Bejta (AAK-PSD), Haxhi Avdyli (LDK), Fatmire Kollçaku e Qemajl Aliu (VV) dhe Uran Ismaili (PDK).

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV 21 dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.