Albin Kurti premton pesëfishimin e inspektorëve

Kandidati për kryeministër, Albin Kurti, është përgjigjur në pyetjen e Brikena Hoxhës, për pyetjen se si e ka menduar Vetëvendosje largimin e zyrtarëve për fotokopje dhe kthimin e tyre si inspektorë të punës.

Kurti ka thënë se këta punëtorë janë në vendin e gabuar të punës për shkak kanë shefa jo të mirë.

Po ashtu Kurti ka thënë se Vetëvendosje përvec inspektorëve të punës do të pesëfishojë inspektorët e shëndetësisë, ambientit dhe ndërtimit.

“Administratë publike dhe shërbyesit civil të jenë profesionist dhe t’i bëjmë si pjesë të rëndësishmë të shtetit tonë, kjo do të thotë që do t’u gjejmë shumë punë, ne nuk do t’i nxjerrim nga puna dhe nëse ka diku mbipunësim do t’i vendosim në sektorët deficitar. Unë besoj se janë në vende të gabuara për shkak të shefave të mbrapsht. Një zyrtar i lartë për fotokopje mund ta ëjë shumë mirë inspektorin e punës, por nuk e ka pasur shancin asnjëhere dhe me trajnime besoj se do ta bëjë punën shumë mirë. Dhe nuk është vetëm inspektorati i punës që do ta pesëfishojmë, por edhe atë të ndërtimit, shëndetësisë, ambientit kanë mangu njerëz në mënyrë që shteti ynë të kryej detyrën jo si dirigjues, por si rregullator dhe mbikëqyrës”, ka thënë Kurti.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahen për dhjetë ditë rresht sa do të zgjasë zyrtarisht fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë të cilat do të mbahen më 6 tetor.

Kandidatët për kryeministër si dhe kandidatët për deputetë nga partitë të cilat janë në garë do të ballafaqohen para Jeta Xharrës ku edhe do të shpalosen programet e tyre qeverisëse.

Të ftuar në debat janë: Albin Kurti, Glauk Konjufca, Albulena Haxhiu, Liburn Aliu, Fitore Pacolli, Hajrullah Çeku, Arbërie Nagavci, Hekuran Murati, Saranda Bugujevci, Arben Vitia, Yllza Hoti.

Debat Pernime do të fillojë çdo ditë nga ora 20:30 në Televizionin 21 dhe live në Facebook të KALLXO.com.