Abelard Tahiri: Do ta kërkojmë që me prioritet të verifikohet Emin Beqiri

Ministri në detyrë i Drejtësisë, Abelard Tahiri në Debat Pernime ka deklaruar se Kosova ka nevojë për një mekanizëm që i verifikon të gjithë policët që janë ne hetuesi, prokurorët e policët.

Ai ka bërë të ditur se ky ligj do të kaloj në Qeveri brenda 3 muajve të parë të vitit 2020.

“Ministria e Drejtësisë është duke përgatitur ligjin që do të kaloj në tre mujorin e parë të vitit 2020. Do të verifikohen të gjithë ata policë që kanë për detyrë të kryejnë hetime, gjyqtarët e prokurorët do të ketë një periudhë prej 4 apo 5 vite t’i nënshtrohen një hetimi”, ka thënë Tahiri në Debat Përnime

I pyetur nëse këtij hetimi do t’i nënshtrohet edhe drejtori i Policisë në Ferizaj, Emin Beqiri, për të cilin Gjykata Supremë kishte deklaruar se është liruar në kundërshtim me ligjin për akuzat për korrupsion.

https://kallxo.com/shkurt/si-shpetoi-pa-u-gjykuar-komandanti-i-policise-se-ferizajt-emin-beqiri/

“Policia e ka mandatin e vet dhe autonominë e vet të veprimit. Ne do të kërkojmë që ky verifikim ta nxjerrë qartë figurën e gjithë secilit, nuk dua të them sot fjalë që ndërhyjnë në autonominë e Policisë, pro do të kërkojmë që me prioritet të jenë njerëzit që tash veç kanë afera korruptive, siç është rasti që e përmendet”, ka thënë Tahiri në Debat Pernime.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra është mbajtur për dhjetë ditë rresht sa ka zgjatur edhe fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 6 tetor.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit.

Kandidatët për deputetë do të ballafaqohen me pyetje nga publiku, ekspertë, analistë e qytetarë të tjerë.

Pjesë e debatit të sotëm janë: Burim Ramadani, Selim Selimi nga koalicioni AAK-PSD, Arben Gashi e Driton Selmanaj nga LDK dhe Abelard Tahiri nga PDK.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV 21 dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.