AAK sfidohet rreth rastit të hetuesit që u degradua pasi e hetoi zv.ministrin

Në mbrëmjen e sotme në ciklin e #DebatPernime të moderuar nga Jeta Xharra, përfaqësuesi i koalicionit AAK-PSD, Selim Selimi u pyet në lidhje me degradimin e hetuesit që ka qenë duke e hetuar rastin e zëvendësministrit të Zhvillimit Rajonal, Musa Cenës.

I njëjti polic është degraduar në pozitë pas hetimit të Cenës.

Degradohet polici që hetoi aferën e korrupsionit të zëvendësministrit të Haradinajt

“Sa i përket rastit që e përmendët, qeveria nuk gradon edhe degradon, qeveria çka bën është të shkarkoj zëvendësministrin dhe atë e ka bërë. Kanë filluar hetimet ka pasur dyshime se ka qenë i përfshirë. Qeveria ka pasur kompetencë për me shkarku dhe e ka bërë. Sa I përket gradimit dhe degradimit nuk po e di”, tha Selimi nga AAK.

Ish- zëvendësministri i Zhvillimit Rajonal, Musa Cena ka qenë i emëruar nga AAK, ai ishte arrestuar më 20 tetor të vitit të kaluar nën dyshimin për ryshfet mirëpo pas hetimit rezultoi me aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare ndërsa hetimet për ryshfet pushoi.

Në nëntor të vitit të kaluar Gjykata Themelore e Prishtinës e kishte gjetur fajtor dhe e kishte dënuar me 6 muaj burg ish-zëvendësministrin e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, Musa Cena.

Me gjithë këtë, Cena nuk mbajti asnjë ditë të vetme në burg pasi që ishte pajtuar që dënimi i tij të kthehet në dënim me gjobë në lartësi prej 5 mijë euro.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra është mbajtur për dhjetë ditë rresht sa ka zgjatur edhe fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 6 tetor.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit.

Kandidatët për deputetë do të ballafaqohen me pyetje nga publiku, ekspertë, analistë e qytetarë të tjerë.

Pjesë e debatit të sotëm janë: Burim Ramadani, Selim Selimi nga koalicioni AAK-PSD, Arben Gashi e Driton Selmanaj nga LDK dhe Abelard Tahiri nga PDK.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV 21 dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.