AAK: Pas rritjes së pagave për sistemin e drejtësisë është rritur numri i aktakuzave

Këshilltari i Kryeministrit Ramush Haradinaj dhe zyrtari i AAK-së, Selim Selimi në Debat Pernime ka deklaruar se me rritjen e pagave për prokurorët e gjykatësit si dhe me pagesat e shtesave për policinë, rezultatet kanë ardhur.

Selimi ka shtuar se pas rritjes së pagave është rritur numri i aktakuzave.

“Një prej problemeve kryesore ka qenë fuqizimi i prokurorëve, gjyqtarëve e policëve. Ne i kemi fuqizuar policët, prokurorët e gjykatësit kur i kemi rritur pagat dhe pagesat e shtesave. Me këtë ne kemi parë rezultate menjëherë, pasi që janë ngritë shumë aktakuza që kanë të bëjnë me afera korruptive. Disa prej tyre janë konfirmuar disa janë në proces të sipër, e disa në faza të hershme. Mirëpo duart larg nga drejtësia kanë dhënë rezultat konkret. Kemi persona që janë të akuzuar të nivelit të lartë që dyshohet se janë të përfshirë në afera korruptive”, ka thënë Selimi Selimi.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra është mbajtur për dhjetë ditë rresht sa ka zgjatur edhe fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 6 tetor.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit.

Kandidatët për deputetë do të ballafaqohen me pyetje nga publiku, ekspertë, analistë e qytetarë të tjerë.

Pjesë e debatit të sotëm janë: Burim Ramadani, Selim Selimi nga koalicioni AAK-PSD, Arben Gashi e Driton Selmanaj nga LDK dhe Abelard Tahiri nga PDK.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV 21 dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.