Dardan Molliqaj - PSD

AAK kundër Dardan Molliqajt për dënimet për korrupsion

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka dalë kundër qëndrimeve të Dardan Molliqajt, partnerit të koalicionit në garën e 6 tetorit.

Kandidati për deputet i koalicionit AAK-PSD, Dardan Molliqaj në Rubikon të KTV-së e kishte kritikuar Kodin penal për shkak se e ka përjashtuar mundësinë që për afera korruptive të mos ketë dënime alternative, por vetëm dënim me burg.

Paramendojeni çka patën pru, nuk e di a ka kaluar ajo pikë me ketë Kodin Penal të ri, që mos me pas mundësi me u denu për një vepër korruptive me gjobë ose dënime alternative që quhen. Pra, edhe nëse e ki keqpërdor 10 euro, hipotetikisht, ti duhesh me shku vetëm në burg”, ka thënë Moliqaj.

https://kallxo.com/lajm/molliqajt-nuk-i-duket-e-drejte-qe-te-korruptuarit-te-denohen-me-burgim/

Në Debat Pernime, këshilltari i Haradinajt dhe zyrtari i AAK-së, Selim Selimi tha se nuk e ka dëgjuar Molliqajn ta thotë këtë.

“Nuk e kam dëgjuar duke e thënë këtë. Është mendim i tij i lirë”, është shprehë Selim Selimi në Debat Pernime.

Ai ka shtuar se ky nuk është qëndrim as i AAK-së e as i koalicionit AAK-PSD.

“Ky nuk është qëndrim i AAK-së dhe as i koalicionit. Qëndrimet i AAK-së shpërfaqet me reformën e sistemit të ligjit në reformën e sistemit penal, pra rritjen e atyre dënimeve. AAK si pjesë e Qeverisë e ka përkrahë politikën e rritjes së dënimeve dhe AAK vazhdon me atë mendësi”, tha Selim Selimi në Debat Pernime.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra është mbajtur për dhjetë ditë rresht sa ka zgjatur edhe fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 6 tetor.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit.

Kandidatët për deputetë do të ballafaqohen me pyetje nga publiku, ekspertë, analistë e qytetarë të tjerë.

Pjesë e debatit të sotëm janë: Burim Ramadani, Selim Selimi nga koalicioni AAK-PSD, Arben Gashi e Driton Selmanaj nga LDK dhe Abelard Tahiri nga PDK.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV 21 dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.