Presidenti Thaçi Foto: KALLXO.com

Zgjedhjet më 11 ose 18 Qershor

Pas rrëzimit të qeverisë nga mocioni i opozitës dje në Kuvend, LDK-ja nuk mori pjesë në takimin e përfaqësuesve të subjekteve politike me Presidentin Thaçi.

Në këtë takim u propozuan dy data të mundshme të mbajtjes së zgjedhjeve- 11 ose 18 qershori.

“Pas votimit të mosbesimit të qeverisë, në përputhje me kompetencat kushtetuese, kam dekretuar shpërndarjen e kuvendit. Po ashtu na përputhje me kushtetutën kam ftuar përfaqësuesit e partive politike që të bisedojmë për datën e zgjedhjeve”, shpjegoi arsyen e takimit Presidenti Thaçi.

Ai propozoi edhe data orientuese të mbajtjes së zgjedhjeve- 11, 18 dhe 25 qershorin.

Edhe përfaqësuesit e partive politike dhanë propozimet e tyre për datën e zgjedhjeve. Hajredin Kuçi, Pal lekaj, Valdete Bajrami, Agim Bahtiri, Valon Murati në emër të subjekteve që pr faqësojnë propozuan si datë të zgjedhjeve 11 qershorin.

Për 11 qershorin si datë të zgjedhjeve ishin edhe Sllavko Simiq, Nenad rashiq, Ferid Agani e Sllobodan petroviq, derisa Smajl Kurteshi e Mahir Yagcilar zgjedhjet thanë se duhet të mbahen më 18 qershor.

Valdete Daka, kryetarja e KQZ-së tha se ky institucion nuk është në pozitë të ofrojë ndonjë datë për zgjedhje.

Në fund Thaçi tregoi se do ta caktojë datën e zgjedhjeve duke marrë parasysh propozimet e përfaqësuesve të subjekteve politike.

“Dëgjuat opinionin e 20 partive politike. Në ditët e ardhshme do të caktoj datën. Do të jetë data 11 ose 18”, tha Thaçi.