Një mbledhje e mëhershme e Komisionit për Buxhet dhe Financa, Foto: KALLXO.com

Zgjatet Mandati i Anëtarëve të Bordit të AKP-së

Në Komisionin për Buxhet dhe Financa të premten është shqyrtuar Raporti me rekomandimet e Grupit Punues të Komisionit lidhur me Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Në Komisionin për Buxhet dhe Financa me shumicë të votave (pesë) është votuar që anëtarët e Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit të kenë mandat 4-vjeçar. Mandati i tyre do të përfundojë pas katër viteve pa ndonjë afat shtesë deri në zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Bordit.

Anëtarët e Bordit të AKP-së deri tani e kanë pasur mandat 2-vjeçar.

Kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Lumir Abdixhiku ka njoftuar se para disa ditëve kanë shqyrtuar gjithsej 18 amandamente.

“12 amandamente të Lista Srpska i kemi refuzuar të gjitha se kanë qenë politike. Kryesisht amandamentet kanë qenë në terminologji. Në grupin punues nuk kemi mundur me zgjidhë çështjen e bordit të AKP-së për të cilin do të diskutojmë në Komision”, ka shpjeguar Abdixhiku.

Ky raport me të gjitha amandamentet u votua në Komision me vetëm dy abstenime, nga Dardan Molliqaj dhe Ali Lajçi.

Avni Jasharaj nga AKP shpjegoi para Komisionit se praktika e mandatit 2 vjeçar të anëtarëve të Bordit të AKP-së ishte jo e mjaftueshme.

“Praktika jonë ka tregu se mandati 2 vjeçar nuk është i mjaftueshëm, sepse ka shkuar kohë derisa janë familjarizu anëtarët”, ka thënë Jasharaj.

Dardan Molliqaj nuk është pajtuar me shpjegimin e Jasharajt duke thënë se nuk është argument i fuqishëm se dy vjet janë pak për shkak se anëtarëve të Bordit u duhet kohë derisa të familjarizohen.

“Për mua nuk është argument i qëndrueshëm për 3 ose 4 vjet që po shkon koha e nuk familjarizohen, nëse mbi këtë argument e ndërrojmë ligjin nuk është logjike. Nuk jam duke e kundërshtu. Për mua argument kish me qenë që Agjencioni bën plane afatgjate dhe duhet me i mbikëqyrë ato”, ka thënë Molliqaj.

Para se të hidhej në votim shumica e anëtarëve të Komisionit ishin që anëtarët e Bordit të AKP-së të kishin mandat 4 vjeçar.

Anëtari i Komisionit, Blerim Kuqi ishte që mandati i anëtarëve të Bordit të AKP-së të jetë 4 vjet.

“Nuk e di a ka praktikë në institucionet e tjera që mandati të jetë dy vjet, pse me ndryshu AKP nga institucionet e bordet e tjera, 2 vjet janë shumë pak. Unë jam për 4 vjet”, ka theksuar Kuqi.

Edhe dy anëtarët e tjerë të Komisionit, Enver Hoti dhe Ali Lajqi ishin që anëtarët e Bordit të AKP-së të kenë mandat 4 vjeçar.

Naser Osmani ishte i mendimit që anëtarët e bordit të AKP-së të kenë mandat 3 vjeçar me mundësi të rizgjedhjes edhe për një mandat.

“Mendimi im është se një mandat 4 vjeçar për një institucion ku ka tjetërsim të pronës është shumë, kisha propozu me u shkurtu në 3 vjet mandati qoftë i kryetarit dhe anëtarëve me të drejtë të rizgjedhjes edhe një herë”, ka propozuar Osmani.

Ndërsa Lulzim Rafuna nga Ministria e Financave sugjeroi që mandati i anëtarëve aktualë të Bordit të mos përfundojë pa u zgjedhur anëtarët e rinj për shkak të ecurisë së punës në këtë institucion.

“Ka ndodhë pezullimi i punës për tre muaj në Agjencion. Mirë kish qenë mos t’u përfundojë mandati anëtarëve të bordit pa u zgjedhë Bordi i ri. Bordi i AKP-së të ketë mandatin 4 vjet si bordet nëpër institucionet e tjera”, tha Lulzim Rafuna nga Ministria e Financave.

Në Komision u votua edhe që anëtarëve aktual të Bordit të AKP-së mos t’u vazhdohet mandati edhe për 4 vjet.

Në fund të takimit kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa krijoi grupin punues prej katër anëtarëvepër “kartonin e gjelbër”. Në këtë grup bëjnë pjesë Naser Osmani, Safete Hadergjonaj, Blerim Kuqi dhe Lumir Abdixhiku. Edhe anëtarë e tjerë të Komisionit do të kenë mundësinë t’i bashkëngjiten.

“Ka shumë punë por nëse ia arrijmë ta bëjmë deri verës kur të vijnë bashkëatdhetarët do të jetë mrekulli. I thërrasim edhe në dëgjim publik organizatat joqeveritare edhe i diakutojmë alternativat”, ka përfunduar Abdixhiku.