Ndërtesa e Gjykatës Speciale në Hagë ku pritet të intervistohen disa ish pjesëtarë të UÇK-së

Zgjatet lista e të ftuarve të Gjykatës Speciale

Gjykata Speciale riktheu vëmendjen e opinionit në javën që lamë pas, me rastin e dërgimit të ftesave për intervistim kundrejt figurave të larta politike në vend, siç është kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj si dhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Thirrja nga Dhomat e Specializuara për tu intervistuar në cilësinë e të dyshuarit, ishte motiv për Haradinajn që të jepte dorëheqje nga pozita e shefit të Qeverisë së Kosovës.

Ndërkaq, ish-zëdhënësi dhe anëtari i shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi është ftuar të paraqitet me 24 korrik në Gjykatën Speciale.

Publike janë bërë edhe ftesa të tjera që kanë pranuar ish-luftëtarë të UÇK-së për të udhëtuar drejt Hagës, në cilësinë e të dyshuarve apo edhe dëshmitarëve.

Gjithashtu, të dielën u bë e ditur se ish-kryetari i Komunës së Lipjanit, njëherësh ish-komandant i Zonës Operative të Nerodimes, Shukri Buja ka udhëtuar për në Hagë për t’u paraqitur para prokurorëve të Speciales.

Të ftuar të tjerë por edhe persona që tashmë janë intervistuar në Dhomat e Specializuara janë edhe Sami Lushtaku, Rrustem Mustafa, Remzi Shala, Nazif Mehmeti, Sokol Dobruna, Safet Syla, Sylejman Selimi, Lahi Brahimaj, Blerim Kuçi, Sebajdin Cena, Naim Maloku, Sokol Bashota, Bislim Zyrapi, Raimonda Rreci, Flamur Hoti e Ramiz Qeriqi.

Në anën tjetër, detaje nga procesi i intervistimeve ka treguar avokati Arianit Koci.

Ai përmes një publikimi në Facebook ka bërë të ditur se një klient i tij do të intervistohet në hotel nga ana e Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Gjykatës Speciale.

Koci ka shtuar se këtë konfirmim e ka pranuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

“E kam pranuar konfirmimin nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, se njëri prej klientëve të mi, do të intervistohet në cilësinë e të dyshuarit – në hotelin ku do të qëndrojë. Me kohën që e kanë pasur, buxhetin, dhe infrastrukturën që e kanë Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – marrja në pyetje e të dyshuarit në hotel, po e len përshtypjen e jo seriozitetit”, ka shkruar ai.

Koci ka theksuar se beson që ky trajtim po bëhet në mënyrë të padinjitetshme.

Gjykata Speciale e themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës, do t’i hetojë krimet që pretendohet se janë kryer nga shqiptarët gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, deputetët patën votuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese të cilat i kishin hapur rrugë themelimit të kësaj gjykate të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Në atë kohë, kryeministër kishte qenë Isa Mustafa, ndërsa zëvendëskryeministër Hashim Thaçi.