Zëvendësministrja e PDK-së rehaton vajzën e kunatës

Punësimit familjare  në institucionet publike  nuk kanë të ndalur.

Së fundi është zëvendësministrja e Kulturës Leonora Morina -Bunjaku që ka ‘rehatuar’ në kabinetin e saj, një të afërme të saj.

Feime Salihu, nga fillimi i këtij viti është pranuar si asistente administrative e zv/ministres Morina Bunjaku. KALLXO.com mëson se Salihu është vajza e kunatës së zv/ministres.

Kallxo.com ka kontaktuar përmes telefonin me zv/ministren Morina Bunjaku, e cila ka konfirmuar  se Salihu është familjare e saj. Por, sipas saj ajo është e pastër ligjërish sa i përket emërimit të Feime Salihut si asistente në zyrën e saj.

“Asistentja është çështje e personale e çdo personi që kanë për obligim, si zyrtar me përzgjedh një njeri të besueshëm, një njeri që ka bashkëpunim të mirëfilltë. Po, ajo është familjare”, ka pohuar zv/ministrja Morina Bunjaku.

Ndërsa po gjatë ditës së sotme, Kallxo.com ka marrë një përgjigje për rast nga MKRS.

Sipas MKRS, bazuar në nenin  33 (paragrafi 1.5 dhe 2) të Rregullores Nr. 02/2011 për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive, zëvendësministrat mund të emërojnë deri në 2 të punësuar në Kabinet.

MKRS konstaton se mënyra e zgjedhjes së tyre është në duart dhe  vullnetin e  zëvendësministrave, pa ndjekur ndonjë procedure për zgjedhjen e tyre, këta dy të punësuar njëri është në cilësinë e Shoferit të  Zëvendësministrave dhe tjetri në cilësinë e Asistentit të Zëvendësministrave.

“Andaj zv/ministrja Leonora Morina-Bunjaku ka punësuar në kabinetin e saj ata persona që ajo i ka parë të përshtatshëm me punuar me të”, pohon MKRS për Kallxo.com për rastin e punësimit të asistentes së zv/ministres Morina Bunjaku.

KALLXO.com ka tentuar të kontaktoj edhe me Feime Salihun por kontakti me të në telefon, emaill dhe rrjetet sociale ka qenë i pamundur.