Zëvendvs Kryeministri Dalibor Jevtiq dhe Kryeministri Ramush Haradinaj - Foto: ZKM

Zëvendëskryeministri i Qeverisë Haradinaj mbanë OJQ-në kundërligjëshëm

Zëvendës Kryeministri i Kosovës dhe ministri për Komunitete dhe Kthim, Dalibor Jevtiq, jashtëligjshëm vazhdon ta ketë një organizatë jo- qeveritare në emër të vetin.

Siç mëson KALLXO.com, organizata “Positive Youth Creë” është aktive dhe figuron në ueb faqen e Departamentit për Regjistrimin e OJQ-ve në Ministrinë e Administratës Publike që nga 20 shkurti i vitit 2001.

Zëvendës Kryeministri dhe Ministri nga Lista Serbe e shkeli ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik për papajtueshmërinë me ushtrimin e funksionit publik.

“Zyrtari i lartë nuk mund të jetë menaxher, përfaqësues i autorizuar ose anëtar i ndonjë organi menaxhues apo mbikëqyrës i personave juridikë privatë, fitimprurës sipas ligjit përkatës për shoqëritë tregtare dhe organizatave joqeveritare, përjashtuar subjektet e përcaktuara në nenin 14 të këtij ligji, subjektet politike si dhe rastet kur një funksion i tillë i dedikohet me ligj për shkak të funksionit”, thuhet në pikën e parë të këtij neni.

KALLXO.com ka pyetur në Ministrinë e Administratës Publike për të verifikuar se a është OJQ-ja “Positive Youth Creë” e regjistruar në departamentin e OJQ-ve në këtë dikaster.

“Organizata joqeveritare,,  Positive Youth Creë” është regjistruar  në Departamentin për OJQ-të në MAP, më  20,02.2001, me përfaqësuesin e autorizuar Dalibor Jevtic”, ka konfirmuar zyra për medie e kësaj ministrie.

Ndërsa, sa i përket implikimit për konflikt interesi, zyra për media ka thënë se nuk kanë komente.

KALLXO.com ka pyetur edhe Qeverinë e Kosovës për të marrë një qëndrim me ministrin e saj se a përbën konflikt interesi që një zv/kryeministër dhe një udhëheqës i një ministrie ka në pronësi një organizatë jo- qeveritare, por as nga Zyra e Kryeministrit nuk e kanë komentuar këtë çështje.

Në kabinetin e ministrit për Komunitete dhe Kthim kanë thënë se OJQ-ja që është aktive ende në Departamentin për Regjistrimin e OJQ-ve në MAP, nuk ka aplikuar asnjëherë për fonde në institucionet e Kosovës.

Për më tepër, nga kabineti i ministrit Jevtiq kanë thënë se ai nuk ka qenë në dijeni se OJQ-ja “Positive Youth Creë” ka qenë aktive deri më tani.

“Duke e ditur se OJQ-të janë ende të listuara si aktive, Zëvendëskryeministri dhe Ministri për Komunitete dhe Kthim në dorëheqjen Dalibor Jevtiq mori të gjitha masat e nevojshme për shuarjen e saj, sepse ai ishte i mendimit se është e listuar si joaktive, sepse për asnjëherë nuk është lëshuar / ngritur certifikata nga Ministria e Administratës Publike, përndryshe tek zyrat ndërlidhëse me OJQ-të të kësaj ministrië”, thuhet në përgjigjen e kabinetit të ministit.

Më tej, thuhet se kjo OJQ nuk ka pasur asnjëherë llogari bankare e as nuk është identifikuar si person juridik në Administratën Tatimore të Kosovës.