Ibrahim Berisha, prokuror

Zëvendës-Kryeprokurori i Prishtinës e padit Këshillin Prokurorial

Prokurori Ibrahim Berisha, njëherit Zëvendës-kryeprokuror në Prokurorinë e Prishtinës, ka ushtruar padi ndaj Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Berisha për KALLXO.com ka thënë se arsyeja se pse e ka paditur KPK-në është për shkak se sipas tij KPK-ja në mënyrë të paligjshme e ka emëruar prokurorin Kujtim Munishi si ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Prishtinës.

Munishi është emëruar në këtë pozitë pas pensionimit të Kryeprokurorit Imer Beka.

“Është bërë një shkelje flagrante gjatë emërimit të ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit. Unë kam qenë personalisht zëvëndeskryeprokuror dhe neni 4 par.2 decidivisht rregullorja që vetë këshilli e ka ba e thotë se me automatizëm zëvëndeskryeprokurori në mungesë të kryeprokurorit e ushtron detyrën. Nuk ka pas nevojë kjo me u ba në këtë mënyrë se si është bë. Unë do ta zbatoj ligjin deri ne fund”, ka thënë për KALLXO.com zëvendeskryeprokurori Ibrahim Berisha.

Me vendimin e datës 7 qershor 2019, KPK në takimin e 168 vendosi që Kujtim Munishi të emërohej si ushtrues detyre i Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

Zëvëndëskryeprokurori Ibrahim Berisha ka kërkuar që vendimi i këshillit të anulohet dhe pastaj ai të emërohet në pozitën e ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit apo çështja të kthehet në rivendosje.