Milaim Zeka - Foto: KALLXO.com

Zeka: Ideja për kompani të re energjetike, me sherr e dallavere

Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka, tha se trishtohet kur dëgjon që është hapë një kompani e re energjetike akoma pa u nënshkruar kontrata me Contour Global për termocentralin “Kosova e Re”.

“E kam mbështetur kontratën dhe jam për t’u ndërtuar një termocentral modern e të gjitha ato, por si mundësi që në kontratë thuhet se merr kohë deri në 5 vjet për ndërtimin e tij dhe pse nuk është pritur deri në atë kohë”, tha deputeti.

Zeka kërkoi nga Qeveria e Kosovës që të hetohen se ku kanë mbetur mjetet e UNMIK-ut dhe EULEX-it për energjinë elektrike në Kosovë.

“Meqenëse kemi mbingarkim të këshilltarëve, të zëvendësministrave, është një armatë e tërë që veç rrinë gjithë ditën me telefona  në dorë, me e bo një hetim ku kanë shkuar paret e UNMIK-ut dhe EULEX-it të dedikuara për energji elektrike në Kosovë”, vazhdoi deputeti.

Zeka tha se në vazhdimësi ndërkombëtarët u thonë se ata kanë investuar diku 800 milionë euro për termoelektranë dhe tash nuk ka energji elektrike në vend.

“E kam një brengë që po e bëni atë si qeveria e kaluar me Feronikel-in. Jeni duke bërë kontratë fikse, duke përjashtuar Contour Globalin, por këtë kompani të re, ai që e ka dhënë idenë e ka bërë me sherr dhe dallavere. Dyshoj që këtu po bëhet një lojë e madhe me paratë publike. Të keni kujdes, ti me ra në burg s’ka lidhje se e përballon, por duhet pasur kujdes edhe të tjerët”, tha ai.