Prezantimi i raportit nga komisioni për të pagjeturit | Foto: KALLXO.com

Zbulimi i Ngadalshëm i Eshtrave të të Pagjeturve

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur në takimin e fundit për këtë vit të mbajtur në Prishtinë, paraqiti punën e tij gjatë 2016-ës.

Kryetari i këtij komisioni Prenk Gjetaj tha se gjatë këtij viti të pagjeturit janë kërkuar në 15 lokacione, ndërsa janë gjetur eshtrat e vetëm 7 prej tyre.

Përveç këtyre gjetjeve, në kuadër të ribashkimit të pjesëve kockore, familjarëve në tetë raste të reja u janë kthyer eshtrat e më të dashurve të tyre.

Nga raporti u bë e ditur se aktivitetet e komisionit kanë përfshirë shpenzimet e rivarrimeve, ceremonitë përkujtimore dhe takimet që janë mbajtur brenda dhe jashtë vendit lidhur me fatin e personave të pagjetur në Kosovë.

Në takim, Bajram Qerkini, përfaqësues i familjeve të të pagjeturve të Kosovës kritikoi institucionet e vendit dhe ato ndërkombëtare për vonesa në gjetjen e atyre që nuk u dihet fati që nga lufta e viteve 1998-1999.

Por Qerkini, pati edhe një falënderim për qeverinë që ua mundësoi disa familjarëve të të pagjeturve rehabilitimin.

Më 16 nëntor, qeveria dha 20 mijë euro për këtë rehabilitim, ndërsa Qerkini deklaroi se familjarë të të pagjeturve u rehabilituan në Banjën e Kllokotit.

http://kallxo.com/20-mije-euro-per-familjare-te-te-pagjeturve/

Ndërsa Prenk Gjetaj përmendi edhe një projekt të Mbretërisë së Bashkuar me të cilin synohet ndihma në gjetjen e të zhdukurve.

“Në fillim të janarit do të fillojë projekti dhe implementimi i tij. Janë bërë të gjitha përgatitjet në të gjitha ato fusha në të cilat kemi biseduar me familjarë dhe anëtarë të komisionit dhe përfaqësues të institucioneve të cilat kanë qenë dhe janë të njoftuara”, tha Gjetaj.

Në Kosovë të pagjetur nga lufta e viteve 1997-1999 janë mbi 1 mijë e 600 persona.

Redaktoi: Bekim Muhaxheri