Foto: Ilustrim

Zbulimi i Policisë në Tiranë: Reja Vrau Vjehrrën

Më 30 prill të vitit të kaluar, në zonën e ish- Frutikulturës në fshatin Kamëz, është gjetur e vdekur në banesën e saj 48 vjeçja me inicialet L.L.

Sipas Policisë së Tiranës, autorja e kësaj vrasjeje është gruaja e djalit të 48-vjeçes.

Policia beson se vrasja ka ardhur pas mosmarrëveshjeve të shpeshta mes rejës me inicialet M.C. dhe vjehrrës L.L.

Po ashtu, Policia e Shtetit thotë se vrasësi dhe të involvuarit janë zbuluar pas realizimit të operacionit të quajtur “Heshtja e zgjatur”.

Sipas policisë të arrestuarit janë 21 vjeçja me inicialet M.C., e dyshuar për vrasjen e 48-vjeçes dhe 50-vjeçi me inicialet A.L., 45-vjeçi me inicialet H.Sh., dhe 41-vjeçi me inicialet A.S, të tre të dyshuar për moskallëzim të krimit.

“Ky operacion erdhi si rezultat i punës profesionale të pandërprerë duke vlerësuar maksimalisht informacionet e grumbulluara si dhe provat e administruara nga grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë për Krimet e Rënda në lidhje me ngjarjen e ndodhur në datë 30 Prill 2017 , në zonën e Ish -Frutikulturës, Kamëz, ku është gjetur e pajetë në banesën e saj shtetasja L.L, 48 vjeç, banuese në ish-Frutikulturë, Kamëz”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Sipas Policisë, A.L., bashkëshorti i viktimës, A.S., kushëri i të dyshuarit të parë dhe H.Sh. kanë qenë në dijeni të ngjarjes dhe kanë preferuar ta fshehin krimin.

Policia ka njoftuar se rasti do t’i kalojë Prokurorisë për Krime të Rënda.