Zbatimi i Vogël i “Marrëveshjes së Madhe”

Raporti i parë i monitorimit të dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë i publikuar të enjten ka vënë në pah mos implementimin e shumë marrëveshjeve të cilat janë nënshkruar në Bruksel nga të dyja palët.

“Big Deal” ka arritur që për herë të parë të ulë në një tavolinë delegacionin e Kosovës dhe atë të Serbisë për të diskutuar rreth marrëveshjeve të arritura gjatë dialogut mes të dyja shteteve, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Raporti “Monotonia e Qytetëruar” do të publikohet për çdo gjashtë muaj për të vëzhguar dhe monitoruar implementimin e  marrëveshjeve të arritura”, tha Jeta Xharra Drejtoreshë Ekzekutive e BIRN-it në Kosovë.

Vukosava Crnjanski drejtoreshë e Qendrës për Transparencë, Hulumtime dhe Llogaridhënie (CRTA) në Beograd tha se qytetarët duhet ta kuptojnë se çka ka ndodhur me marrëveshjet pjesë e të cilave janë ata vetë.

“Shpresoj se ky raport do të ndihmojë që të kuptohet situata më mirë. Edhe më e rëndësishme që iniciativa Big Deal do të ndihmojë në përfshirjen e shoqërisë e posaqërisht të qytetarëve që kanë të bëjnë me marrëveshjena e Brukselit”, tha Crnjanski.

Faik Ispahiu, drejtor i Internews Kosova, tha se ky raport e jep një version unik të dialogut që ka filluar në vitin 2011.

“Është qëllim i ynë që ky dialog të jetë bazë e studimeve të ardhshme edhe nëpër universitetet e rajonit për ta rikonstruktuar në mënyrë të paanëshme procesin i cili ka sjellur deri te gjendja në të cilin jemi sot”, tha Ispahiu.

Ndërsa Valerie Hopkins, gazetarja që e ka shkruar raportin, thotë se për të realizuar një përmbledhje të tillë janë intervistuar mbi 70 palë.

“Folëm me shqiptarë nga Presheva të cilët thanë se nuk ëndërrojnë për një punë në sektorin publik sepse ata nuk besojnë që diplomat e tyre nga Kosova apo Shqipëria do të njihen. Folëm me banorët e veriut që nuk kanë qasje në sistemin gjyqësor dhe folëm me kosovarët që duhet të paguajnë për të kaluar kufirin për në Serbi”, tha Hopkins.

Sipas saj, të dyja palët treguan se problem i njohjes së i diplomave mbetet shumë i madh pasi që serbët që studiojnë në Universitetin e Mitrovicës nuk kanë mundësi të punojnë me diplomat që posedojnë pasi që Kosova nuk i njeh ato, njësoj sic ndodh edhe me diplomat që studentët I marrin nga universitetet kosovare e që kërkojnë punë në Serbi.

Hopkins i dha theks edhe pagesave të sigurimit të automjeteve të cilat kanë shkaktuar pakënaqësi të mëdha te qytetarët e Kosovës dhe Serbisë ndërsa tregoi se raporti ka nxjerrë ne pah faktin se çmimet e pagesave nëpër kufi nuk janë të njëjta dhe qytetarët paguajnë me standarde të dyfishta.

Sipas saj, marrëveshjet e arritura nuk janë afër implementimit të plotë pasi që mangësitë janë të shumta.

Ndërsa kryenegociatorja kosovare Edita Tahiri tha se dialogu mund të konsiderohet sukses sepse, sipas saj, ka qenë e vështirë të shkohet ne dialog duke marrë parasysh krimet që Serbia ka kryer në Kosovë.

“Natyrisht se ne si popull këtë histori asnjëherë nuk mund ta harrojmë sepse ka të bëjë me një histori të gjenocidit të cilën Serbia e ka bërë në Kosovë”, tha Tahiri.

Tahiri tha se marrëveshjet e konsideruara jo të implemetuara sipas saj janë të përfunduara, pasi që janë kryer në korniza të asaj që ata janë dakorduar e jo në bazë të standardeve evropiane që do duhej të ishin, duke marrë shembull kështu lëvizjen e lirë.

“Nëse e shikojmë nga standardi kuptohet se marrëveshja nuk i jep ato kualitete sepse ende kalohet në Serbi me tabela që duhet të pranohen e disa duhet me u mbulu por esenca është se Serbia ka pranuar dokumentete e shtetit të Kosovës”, u shpreh Tahiri.

Ndërsa zyrtari për ndërlidhje i Serbisë në Kosovë, Dejan Paviçeviq, përkundër u iritua nga deklarata e Tahirit se në Kosovë është ushtruar gjenodid nga ana e Serbisë dhe deshi të largohej nga salla, përsëri vendosi të qëndrojë pas insistimit të drejtueses të tryezës.

Ai tha se do të bisedohet edhe për çështje të tjera ndërsa i dha theks asaj të diplomave.

“Sa i takon cështjes së diplomave, besoj se do të hapet dhe do të zgjidhet në një kohë sa më të shpejtë, Kur flitet për universitetin në Mitrovicë, kohë më parë kam pranuar një email, ku më është drejtuar një student i Universitetit të Mitrovicës i cili është nga Zagrebi dhe i cili është në vitin e fundit në mjekësi, dhe lutet që ky problem të zgjidhet pasi që ajo diplomë në Zagreb nuk do t’i njihet. Dhe ja unë këtu besoj se, të themi me iniciativën e juaj, këtë bisedë do ta hapim dhe do të gjendet një mënyrë dhe se diplomat e universitetit të Mitrovicës do të gjendet në bisedimet për diploma” u shpreh Paviçeviq.

Nga Big Deal del se prej 16 marrëveshjeve sa janë arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, vetëm 4 prej tyre janë implementuar plotësisht.

Ky raport është mbështetur nga Zyra e Jashtme Britanike dhe e Commonëealth dhe Fondi Rockefeller Brothers. Big Deal do të publikojë raporte çdo gjashtë muaj.

Ky raport është prodhuar nga BIRN Kosova, Qendra për Transparencë, Hulumtime dhe Llogaridhënie – CRTA nga Serbia dhe Interneës Kosova.