Ministri i Jashtëm iranian Mohammad Javad Zarif - Foto: REL/AFP

Zarif dënon kërkesën e ShBA-së që europianët të tërhiqen nga pakti bërthamor

Ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif ka dënuar përpjekjet e Uashingtonit që po kërkon nga aleatët europianë të tërhiqen nga marrëveshja bërthamore me Teheranin, e nënshkruar më 2015.

Duke folur në Konferencën për Siguri, që po mbahet në Mynih të Gjermanisë, Zarif tha se nënpresidenti amerikan, Mike Pence “në mënyrë arrogante ka kërkuar nga Europa që t’i bashkohet me patjetër ShBA-së për të minuar sigurinë e saj dhe për të shkelur obligimet e veta”.

Komentet e Zarif vijnë vetëm një ditë pasi Pence i bëri thirrje fuqive europiane, Gjermanisë, Francës dhe Britanisë që të tërhiqen nga marrëveshja bërthamore dhe të “mos minojnë sanksionet amerikane” ndaj Iranit.

Zarif tha po ashtu se një sistem i shkëmbimit i njohur si INSTEX – i themeluar muajin e kaluar nga Franca, Gjermania dhe Britania, që lejon bizneset të bëjnë transaksione direkte me Iranin, duke shmangur kështu sanksionet amerikane – “nuk mjafton”.

Ai tha se shtetet europiane duhet të bëjnë më shumë për të treguar përkushtimin e tyre për marrëveshjen bërthamore me Iranin.

“Shumë persona në mbarë botën, veçanërisht në këtë kontinent, flasin me elokuencë rreth multilateralizmit, por gjithashtu duhet të kryejnë obligimet e tyre”, u shpreh Zarif.

“Për shembull, INSTEX nuk përmbush të gjitha obligime (e shteve të BE-së), për të shpëtuar marrëveshjen”, tha Zarif.

Marrëveshja e vitit 2015, nga e cila është tërhequr SHBA-ja, i ofron Iranit lehtësim të sanksioneve në këmbim të frenimit të programit bërthamor.

Tri shtetet europiane – Gjermania, Franca dhe Britania – por edhe Rusia, Kina dhe BE-ja, po hasin në vështirësi ta ruajnë këtë marrëveshje, që prej se SHBA-ja u tërhoq nga ky pakt dhe rivendosi sanksione ekonomike.