Zafir Berisha - Foto: Facebook

Zafir Berisha Paralajmëron Ankesë në PZAP dhe Kushtetuese

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka decertifikuar sot 86 kandidatë për kryetarë komunash dhe asamblistë komunalë, të dënuar me aktgjykim të formës së prerë nga gjykatat e Kosovës në tri vitet e fundit.

Në mesin e të decertifikuarve është edhe kandidati për kryetar të Komunës së Prizrenit nga radhët e Nismës për Kosovën, Zafir Berisha.

Në një prononcim për KALLXO.com, Berisha paralajmëroi ankesë në Panelin Zgjedhor për Aankesa dhe Parashtresa.

Përveç në PZAP, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Zafir Berisha, tha se do të dorëzojë ankesë në Gjykatë Kushtetuese kundër shkeljes së të drejtave të njeriut.

Berisha tha se është decertifikuar për shkak të një dënimi me gjobë në vlerë prej 140 eurosh.

Ai tha se është absurd ky vendim pasi që sipas të njëjtit Ligj ai nuk është decertifikuar për zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit e për zgjedhjet lokale të 22 tetorit po.

Ndryshe, sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim të decertifikojë të gjithë kandidatët që garojnë në zgjedhjet lokale të 22 tetorit që janë të dënuar me aktgjykim të formës së prerë në tre vitet e fundit nga gjykatat e Kosovës.

http://kallxo.com/decertifikohen-kandidatet-per-zgjedhjet-lokale-te-denuar-nga-gjykata/

Nga listat e publikuara del se më së shumti kandidatë të decertifikuar ka partia e kryeministrit Ramush Haradinaj – AAK, gjithsej 17.