Zaev Sot Merr Mandatin për Formimin e Qeverisë së Maqedonisë?

Mediat në Maqedoni raportojnë se Zaev sot në mesditë do të shkojë në zyrën e Presidentit Ivanov për ta marrë mandatin për formimin e qeverisë, disa ditë pasi ky i fundit është njoftuar zyrtarisht nga kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, se është arritur shumica parlamentare që mundëson formimin e qeverisë së re të dalë nga zgjedhjet e dhjetorit të vitit të kaluar.

TV ALSAT raporton se Zaev tashmë është nisur drejt ndërtesës së Presidencës për ta marrë mandatin.

Ivanov deri sot ka refuzuar ta mandatojë Zaevin për formimin e qeverisë së re meqë kishte vërejtje se partnerët shqiptarë në koalicionin e tij kanë hartuar një platformë në Tiranë.

Lëvizja e Ivanov nga qëndrimi i tij vjen pas një presioni të madh ndërkombëtar që t’ia mundësojë shumicës parlamentare formimin e qeverisë si rrugë për të dalë nga kriza politike.

Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Brian Hoyt Yee, tha për emisionin “Jeta në Kosovë”, në një intervistë që transmetohet nesër në RTK, se Presidenti Ivanov e kupton dhe pret që t’ia japë Zaevit rastin për ta formuar qeverinë.

“Presidenti, të cilin e kam takuar dhe kam pasur një diskutim shumë të mirë, i kupton pritjet tona. Ne presim që qeveria, Presidenti, ta bëjnë atë që është e domosdoshme sipas normave demokratike”, tha Yee në intervistë për Jeta Xharrën.

Kur u pyet nëse mendon se Ivanov do t’ia japë mandatin shumicës së dalë nga zgjedhjet e fundit, Yee tha se beson që Presidenti “do ta bëjë gjënë e duhur në fund”.

Më 27 prill, ditën kur Kuvendi votoi Talat Xhaferin e BDI-së për kryetar, turma njerëzish të afërt me VMRO-në e Nikola Gruevskit sulmuan deputetët brenda ndërtesës duke u shkaktuar lëndime trupore disave prej tyre.

Më së rëndi në këtë situatë e pësuan Ziadin Sela, deputet nga Struga si dhe vetë Zoran Zaev të cilët morën lëndime trupore nga sulmuesit.