Zoran Zaev - Foto: REL/Reuters

Zaev shkarkon 6 ministra

“Fshesa” e Zaevit solli 6 shkarkime të ministrave, ndërsa befasues ishte vendimi që kryeministri të udhëheq edhe me Ministrinë e Financave.

Si arsye për këtë ndryshim, Zoran Zaev tha se pas zgjidhjes së të gjitha çështjeve kryesore politike, mbetet si një detyrim i Qeverisë, rritja e standardit ekonomik.

“Detyrën e ministrit të financave, krahas funksionit si kryeministër, do ta kryejë unë për një periudhë të caktuar. Këtë vendim e solla për shkak se ky vit do të jetë viti i ekonomisë. Hyjmë me të gjitha performancat. Tevdovski do të vazhdojë të punojë me mua, si këshilltar në këtë pjesë. Pasojnë zgjidhje dhe vendime të guximshme prej të cilave qytetarët do të përfitojnë edhe në pjesën e sociales por edhe në sferën e bujqësisë, pensioneve dhe rrogave. Tashmë kur janë zgjidhur shumica e çështjeve politike për vendin tonë, mbetet të rritet standardi ekonomik”, deklaroi kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Përveç këtij ndryshimi, ndryshime do të ketë edhe në ministrinë e Bujqësisë, ku pritet të vijë Trajan Dimkovski i cili paraprakisht ishte shef i kabinetit të ministrit të deritanishëm, Lupço Nikollovski.

Ministri i deritanishëm i Mjedisit Jetësor, Sadulla Duraku transferohet në ministrinë e re për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet bashkësive.

Atë do ta zëvendësojë Naser Nuredini i cili është bankar për investime dhe këshilltar i financave në sferën e bankierisë në Londër dhe Vjenë.

Ministri i ri i kulturës do të jetë Hisni Ismaili i cili paraprakisht ishte profesor në Fakultetin e Mjekësisë në UT.

Para një muaji ministri i kulturës Asaf Ademi dha dorëheqje.

Edhe Ismaili është nga radhët e Alternativës, që do të thotë se kjo ministri mbetet në duart e partnerit e koalicionit.

Në pozitën e ministrit për vetëqeverisje lokale në vendin e Suhejl Fazliut do të vijë lideri i PLD Goran Milevski i cili deri më tani ishte deputet i shumicës parlamentare, ndërsa në vendin e tij do të vijë deputet nga LSDM-ja.

Për shkarkimin e Fazliut menjëherë ka reaguar  RDK-ja e Vesel Memedit, nga ku thonë se ky vendim është sjellë pa pajtimin e tyre.

“Ministria e vetëqeverisjes lokale i takon partnerit të koalicionit qeveritar, edhe atë partisë RDK-së.

Kryeministri, nuk mundet të sjell vendim pa pajtueshmërinë tonë, që këtë ministri të ja jap një partneri të brendshëm të partisë LSDM, me të cilën ka probleme të brendshme, dhe ti kënaq partnerët e koalicionit por në dëm të koalicionit qeveritar.

Nëse kryeministri është serioz me këtë propozim të tij, ne si parti do të sjellim vendim dhe qëndrimin tonë për të cilën do të informoheni kanë shkruar nga Shërbimi për Informim i RDK-së”, thonë nga RDK.

Është shkarkuar edhe zv/kryeministri për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, Hazbi Lika dhe ministri pa resor për përmirësimin e klimës së investimeve në vend, Zoran Shapuriq.

Pas rikonstruimit të qeverisë, Kryeministri paralajmëroi se do të ketë ndryshime në eshalonin e dytë dhe të tretë, me të cilat duhet të përfshihen drejtorë dhe anëtarë të bordeve drejtuese dhe mbikëqyrëse të ndërmarrjeve publike.

Ndryshe nga Kuvendi konfirmuan se propozimet për ndryshimet në Qeveri kanë arritur dhe se kreyeparlamentari Talat Xhaferi menjëherë do t’ua dorëzojë të gjithë deputetëve.

Seanca kuvendore për zgjedhjen e ministrave të ri do të mbahet të mërkurën e javës së ardhshme./21Media