“Z- Mobile” mohon deklaratat se i ka borxh Telekomit

Gjatë një raportimi para Komisionit hetimor parlamentar për gjendjen e Telekomit të Kosovës, kryetari i Sindikatës së Telekomit të Kosovës, Lami Balaj, ka thënë se “Z-Mobile” i ka borxh Telekomit rreth 12 milionë euro të cilat nuk i ka paguar kurrë”.

“Ne jemi dëmtuar shumë e tepër nga falja e borxhit publik me një shumë prej 34 milionë euro nga falja e borxhit nga Parlamenti i kaluar. Afër 11 milionë është Banka kreditore ndërsa rreth 13 milionë na kanë borxh klinetët tanë, ndërsa Z-Mobile na ka 12 milionë të cilat nuk na ka pagu kurrë”, deklaroi Balaj më 25 prill të këtij viti.

Në një përgjigje për KALLXO.com, deklarimet e kryesindikalistit kompania “Z- Mobile” i ka quajtur të pavërteta. Ndërsa, kanë thënë se deklarimet e tilla ka pasur edhe në të kaluarën.

“Deklarimet e z. Balaj janë plotesishtë pavërteta. Nuk është hera e parë që Sindikata e TK lanson të pavërteta në relacion me kompaninë tonë”, thuhet në përgjigjen e “Z- Mobile” për KALLXO.com.

Ndërsa, ditë më parë, Federata Sindikale e Pavarur e Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës kanë kërkuar që mos të vazhdohet kontrata mes Telekomit të Kosovës dhe “Z-Mobile”, pasi që ajo do të skadojë me 30 korrik të këtij viti.

Kompania e telefonisë “Z- Mobile” është në pronësi të Blerim Devollit.

Gjatë muajit mars të këtij viti, Devolli kishte dalur para gjykatës për të treguar rreth disa takimeve me krerët e Telekomit të Kosovës.

“Me Agron Mustafën kam pas një takim zyrtar në zyrën e tij. Qëllimi i këtij takimi ka qenë njoftimi mes nesh dhe Mustafa na ka ftuar”, kishte thënë  ndër të tjera para gjyqtarëve shefi i “Z- Mobile”.

Në pyetjen e të akuzuarit Ejup Qerimi, Blerim Devolli kishte thënë se: “Borxhe ndaj PTK-së nuk kemi pasur, po në atë takim kemi bisedu rreth pretendimeve kinse Z Mobile i ka borxh PTK-së, por asnjë cent nuk e ka borxh”.

Rrëfimin e plotë të Blerim Devollit mund ta lexoni KËTU.

KALLXO.com ka raportuar edhe për gjykimin e rastit të njohur si “Vala- Z- Mobile”.