Kryetari i VV-së, Visar Ymeri - Foto: Vetëvendosje

Ymeri: Thaçi Nuk Ka Kredibilitet për Konsensusin Shoqëror

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka thënë se Presidenti Thaçi në Ditën e Personave të Pagjetur ka paralajmëruar formimin e Grupit të Unitetit në lidhje me dialogun me Serbinë.

Në një postim në rrjetin e tij social “Facebook”, Ymeri ka shkruar se dialogu kërkon konsensus dhe duhet ridefinuar.

“Dialogu duhet ridefinuar nga e para. Ai duhet të ndryshojë në premisa, dhe jo thjesht në përbërje. Ajo që ka ndodhur deri tash duhet të hetohet nga Kuvendi dhe të zbardhen të gjitha prapaskenat e këtij dialogu që na ka sjellur deri këtu”, shkruan Ymeri.

Ai më tutje tha se Thaçi nuk ka kredibilitet dhe përgatitje politike e intelektuale në lidhje me konsensusin shoqëror për dialogun.

“Ai është përgjegjësi kryesor prapa Zajednicës, dhe nënshtrimit të gjithëmbarshëm politik karshi interesave të Serbisë”, shkruan ai.

Lideri i Vetëvendosjes pranoi se bashkimi është gjë e mirë por jo sipas kërkesave të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

“Vërtet është gjë e mirë bashkimi, por përpara kësaj duhet të shohim se cili është projekti rreth të cilit po bashkohemi. Bashkim për t’u rreshtuar para kërkesave të Vuçiqit?! Jo faleminderit! Bashkim për të diskutuar modalitetet e ndarjes së brendshme?! Jo faleminderit!”, shkruan më tutje Ymeri.