Ymeri: Të vetmit që janë shtrirë e futur nën sqetull janë ata që po vajtojnë, kukuvajkat

Visar Ymeri, deputet dhe nënkryetar i PSD-së, ka thënë se të vetmit që janë shtrirë e futur nën sqetull janë ata që po vajtojnë, kukuvajkat.

“Të strukur në rehatinë e zyreve e shtëpive të tyre që vajtojnë për legjitimitetin e munguar, me një ligjërim që lëngon nga formalizmi absurd. Thua ti, atë që ata e quajnë legjitimitet garanton marrëveshje të dobishme për Kosovën. Ç’marrëveshje? Sikur ajo për Zajednicë? Pa kurrëfarë përfitimi për Kosovën”, ka shkruar ai.

Sipas tij, në delegacionin shtetëror do të bashkëdrejton opozita (Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj), brenda delegacionit vendimet do të merren me unanimitet, dhe nëse/kur nuk arrihet unanimiteti pas dy tentimeve, atëherë me 2/3 e anëtarëve.

“Raporti mes Koalicionit qeveritar dhe Opozites/Shoqërisë civile në Delegacion është 7 me 5. Ky proces është në dorë të Opozitës”, ka shkruar Ymeri në Facebook.

Ai thotë se po ta lexonin Rezolutën dhe Ligjin edhe Albin Kurti edhe Isa Mustafa do ta kuptonin qartë se të gjitha siguresat vendimmarrëse, procedurale dhe politike e juridike janë paraparë aty.

“Nuk ka marrëveshje pa njohje! Sovraniteti shtetëror, integriteti territorial, karakteri unitar i Republikës janë të pacenueshme e të patjetërsueshme”.

Ai thotë se tani janë ngritur në këmbë si Republikë, si Kosovë e si Kuvend.

“Të vetmit që janë shtrirë e futur nën sqetull janë ata që po vajtojnë, kukuvajkat”, ka shkruar Ymeri.

Ky reagim i Visar Ymerit vjen pas komenteve të bëra nga kryetar i LDK-së, Isa Mustafa dhe ai i Vetëvendosjes, Albin Kurti.

https://kallxo.com/isa-mustafa-rezoluta-e-votuar-ne-kuvend-nuk-eshte-zgjidhje-per-dialogun/

Ndërsa, Albin Kurti ka kritikuar urgjencën e mbledhjes së nënshkrimeve dhe votimin Rezolutës për dialogun me Serbinë.

Ky është komenti i plotë i kreut të VV-së:

“U shtrinë

Ende pa u bërë gjashtë orë nga miratimi i tri ligjeve të cilat e bënë Kosovën me Ministri të Mbrojtjes dhe me FSK të avansuar drejt ushtrisë, u mblodhën nënshkrimet për seancë urgjente për normalizim me Serbinë. Punësimi e drejtësia, arsimi e shëndetësia, buxheti i ri për FSK-në, të gjitha këto presin, ama dialogu me Serbinë është çështje urgjente, thanë mbrëmë! Kush donte ta zvogëlonte entuziazmin popullor për ushtrinë në Kosovë? Paj, askush si Serbia. Ishte çështje urgjente kjo. Andaj shpejt u shtrinë.”