Ymeri: Nuk e Njohim Thaçin si President, Por...

Kushtetuta e Kosovës ia jep Presidentit të detyrën për ta mandatuar kryeministrin e vendit, pas zgjedhjeve të përgjithshme.

Në rast se Vetëvendosje del partia më e votuar në Kosovë, kandidati për kryeministër i kësaj partie do të duhej të shkojë në zyrën e Presidentit për ta marrë këtë dekret.

Por për Visar Ymerin, kjo nuk paraqet problem.

“Atë nuk e kanë zgjedhur por është zgjedhur me dhunë dhe natyrisht që një person brenda sistemit demokratik që zgjedhet me dhunë, nuk mund të njihet, nuk është zgjedhje legjitime”, tha Ymeri në një intervistë për KALLXO.com.

Përderisa sondazhi që Lëvizja Vetëvendosje e ka nxjerrë së fundi, e japin atë si partinë e parë në vend, KALLXO.com ka pyetur Ymerin se a do të shkojnë te Presidenti Thaçi për të kërkuar mandatin për të krijuar Qeverinë.

Sipas Ymerit, edhe pse ata nuk e njohin Thaçin si President, ata natyrisht që duhet shkojnë të marrin mandatin, ani pse thotë se edhe pas këtij akti ai do të vazhdojë të jetë jolegjitim.

“Po e them që ky është një formalitet, për mendimin tim i një rëndësie të dytë, karshi problemeve që janë me zgjedhjet e Hashim Thaçit. Natyrisht që ai këtë formalitet do ta kryej në momentin kur të ka zgjedhje dhe kur të ka mandatar për themelimin e Qeverisë. Mirëpo kjo nuk e bënë Hashim Thaçin president. Natyrisht që mandati duhet të merret, për sa kohë që është aty, dmth nuk ka një president tjetër, por kjo nuk do të thotë që nuk duhet të ia kontestojmë legjitimitetin e zgjedhjes së tij, që besoj se pajtohen të gjithë kundërshtarët e tij”, tha Ymeri.

Në këtë intervistë, e cila e plotë publikohet të mërkurën paradite, Ymeri ka thënë se në Vetëvendosje ka disponim që Albin Kurti të jetë kandidati i partisë për kryeministër.

Në këtë intervistë, Ymeri ka folur edhe për kandidatin e VV-së për kryetar të Prishtinës dhe për përgatitjet e partisë për zgjedhjet lokale.