Ymeri, deputetëve: Bëni më shumë pyetje për gjendjen në Telekom

Deputeti Visar Ymeri nga Partia Socialdemokrate, tha se gjendja në Telekomin e Kosovës është jashtëzakonisht e rëndë.

“Këtu si Kuvend, do të dëshiroja që ky debat të jetë ndihmesë për punën e Komisionit Hetimor dhe nga ky të gjejmë edhe çështje të tjera, përveç atyre të identifikuara deri tash që të do ishin objekt hetimi për komisionin”, tha Ymeri.

Sipas tij, përgjigjet e gatshme dhe të ngutshme mund të jenë fatale për kompaninë në fjalë.

“Më e rëndësishme është se çfarë pyetje po shtrojmë sesa çfarë përgjigje po japim ose marrim. Unë po e shfrytëzoj kohën të bëjë disa pyetje. Si ka ndryshuar raporti në mes të të hyrave të përgjithshme dhe fitimit neto të realizuar nga kompania Telekom, këtë duhet ta trajtojmë, pasi efiçienca e kompanisë përgjatë viteve ka rënë, sepse janë rritur shpenzimet dhe kanë rënë të hyrat”, tha deputeti.

Kuvendi i Kosovës po mban seancë të jashtëzakonshme lidhur me gjendjen në Telekomin e Kosovës dhe masat që i ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës në zbatimin e Rezolutës nr.06-R-013, dt.12.07.2018 lidhur me gjendjen financiare në Telekom dhe Postën e Kosovës.