Yll Rugova, Foto: Komuna e Prishtinës

Yll Rugova reagon pas 'shkarkimit selektiv' të drejtorëve të Vetëvendosjes nga Shpend Ahmeti

Drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Komunën e Prishtinës, Yll Rugova e ka quajtur “shkarkim selektiv”, shkarkimin e Arben Vitisë dhe Nora Kelmendit dhe mosshkarkimin e tij nga kryetari i Prishinës, Shpend Ahmeti.

“Duke e shkarkuar Arben Vitinë dhe Nora Kelmendin, dhe duke mos më shkarkuar mua si drejtor të Vetëvendosjes, Shpendi po e përdorë taktikën që serbët e përdornin me “shqiptarët e ndershëm” duke më shpallur “Vetëvendosje i ndershëm””, ka thënë Rugova.

Rugova ka thënë se është e vërtetë që në zgjedhjet e fundit në komunë i është bashkuar Vetëvendosjes me ftesë nga Shpend Ahmeti.

“Po unë e di se nuk do t’i kishim votat e duhura pa qenë duke garuar bashkarisht si Vetëvendosje”, ka shkruar Rugova në Facebook.

Ai ka thënë se përderisa ka garuar me këtë subjekt, edhe vazhdon të jetë pjesë e tij, nuk ka gjasa që ai të marrë vendime pa diskutuar me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Megjithëse tashmë bashkëpunimi po duket se s’ka gjasa të vazhdojë”, ka potencuar Rugova.

Më poshtë mund të lexoni postimin e plotë të Yll Rugovës: 

Lojë me shkarkime selektive

Duke e shkarkuar Arben Vitine dhe Nora Kelmendin, dhe duke mos më shkarkuar mua si drejtor të Vetëvendosjes, Shpendi po e përdorë taktikën që serbët e përdornin me “shqiptarët e ndershëm” duke më shpallur “Vetëvendosje i ndershëm”.

Kjo i bie, se edhe nëse dikush është Vetëvendosje, ai si kryetar është në gjendje ta lejojë në qeverisje. Por kjo është vetëm lojë për të legjitimuar qeverisjen e tij, absolutisht të zaptuar në zgjedhjet e fundit nga Vetëvendosja. E për më shumë qeverisje që ka tendenca të zgjerohet edhe me PDK-në.

Është e vërtetë që në zgjedhjet e fundit në komunë i jam bashkuar Vetëvendosjes me ftesë nga vetë Shpendi dhe Dardani. Po unë e di se nuk do t’i kishim votat e duhura pa qenë duke garuar bashkarisht si Vetëvendosje.

Andaj, përderisa kam garuar me këtë subjekt, edhe vazhdoj të jem pjesë e tij, nuk ka gjasa të marr vendime pa diskutuar me Lëvizjen. Megjithëse tashmë bashkëpunimi po duket se s’ka gjasa të vazhdojë.

Pa marrë parasysh qysh po përjashtohemi, ne e dimë si do të kthehemi.