Yagçilar dhe Ismaili nënshkruan memorandum për ndërtimin e Spitalit të Prishtinës

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, së bashku me ministrin e Administratës Publike, Mahir Yagçilar, kanë nënshkruar sot Memorandumin e mirëkuptimit për fillimin e ndërtimit të Spitalit të Prishtinës, njofton Ministria e Shëndetësisë.

Sipas Ministrisë ky memorandum përcakton obligimet institucionale për realizimin sa më të shpejtë dhe efikas të projektit. Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, tha se tani edhe zyrtarisht nis projekti i madh për ndërtimin e spitalit të kryeqytetit.

“Sapo e bëmë hapin e parë drejt jetësimit të kërkesës së kahmotshme të qytetarëve të Prishtinës për Spitalin e kryeqytetit. Me nënshkrimin e marrëveshjes me Ministrin Yagçilar dhe me buxhet tanimë të ndarë po nisim projektimin dhe ndërtimin e Spitalit të kryeqytetit tonë” tha Ismaili.

Nga ana tjetër Ministri Yagçilar tha se Spitali i Prishtinës do të jetë një projekt i rëndësishëm për shtetin e Kosovës, Ministrinë e Shëndetësisë, Komunën e Prishtinës dhe qytetarët e kryeqytetit, të cilët do të marrin shërbime cilësore në këtë spital që do të ndërtohet.

Në bazë të këtij memorandumi, Ministria e Shëndetësisë do të ofrojë të gjitha informatat, dokumentacionin dhe mbështetjen e saj që ky projekt të zhvillohet në mënyrë sa më efikase.

“Projekti do të realizohet në katër faza: 1. Realizimi i Studimit të Nevojave dhe Vlerësimit të Kapaciteteve; 2. Themelimi i Spitalit të përgjithshëm të kryeqytetit, ashtu siç përcaktohet me Ligjin për Kryeqytetin; 3. Hartimi i projektit detal për ndërtimin në bazë të Studimit; 4. Ndërtimi i objektit në bazë të projektit detal si dhe mbikëqyrja profesionale e fazës së ndërtimit”,  njofton MSh.

Në njoftim thuhet se për studimin e fizibilitetit Ministria e Administratës Publike ka ndarë 500 mijë euro. Ndërkohë, për vitet 2019-2021, brenda së cilës periudhë pritet të përfundoj ndërtimi i këtij spitali, për realizimin e tij të ndarë janë 7 milionë euro. Megjithatë, koston dhe kapacitetin e tij do të përcaktoj studimi i fizibilitetit që do të udhëhiqet nga Ministria e Administratës Publike.