Arkiv: Shpërblimet për xhudistët | Foto: KALLXO.com

Xhudistët Shpërblehen për Medaljet

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi u ka ndarë shpërblime shtetërore xhudistëve Akil Gjakova dhe Distria Krasniqi dhe trajnerit të tyre Driton Kuka.

Xhudistja Krasniqi, e cila fitoi medaljen e artë në Kampionatin Europian U-23 në Podgoricë, por edhe në Grand Prix-in e Tunizisë, është shpërblyer me një çek prej 5.000 eurosh.

Ndërsa, Akil Gjakovës i është ndarë një çek prej 3.500 eurosh pasi e fitoi medaljen e argjendtë në Kampionatin Europian U-23 në Podgoricë në nëntor të vitit që shkoi. Kë sukses Gjakova e përsëriti edhe gjatë ballafaqimeve të tij në Tunizi. Edhe trajneri Driton Kuka u shpërblye me këtë çmim.

Ministri Gashi u shpreh i kënaqur për shpërblimin e xhudistëve.

“Është kënaqësi që sot të ndaj çmime për sportistë që kanë fituar medalje. Ministria e ka nënshkruar rregulloren që mundëson mënyra të reja të financimit për sportistët”, tha Gashi,  duke e përmendur mundësinë e financimit nga sponsorimi i bizneseve në bazë të aktit nënligjor.

Ndërsa trajneri Driton Kuka u sugjeroi bizneseve që ta mbështesin sportin.

“I ftoj të gjitha bizneset, e në veçanti bankat, si bizneset më fitimprurëse, për ta mbështetur sportin”, tha trajneri.

Me gjithë urimin për punën e ministrisë, Kuka, tha se duhet mbështetje edhe më e madhe për sportet kolektive.

“Ne si sporti i xhudos kemi mbijetuar disi për shkak se sportistët që i kemi më të mirët, kanë pasur përkrahje nga niveli qendror — e ne s’jemi shumë. Mirëpo kur e shohim se sportet kolektive nëpër komuna po shuhen — klube të mëdha të futbollit, basketbollit dhe klube të sporteve të tjera që kërkojnë ndoshta një mbështetje më të madhe sesa klubet e sporteve individuale”, tha Kuka.

KALLXO.com ka shkruar vazhdimisht për sukseset e xhudistëve kosovarë.