Xhavit Haliti - Foto: Facebook

Xhavit Haliti paralajmëron deputetët që do t`u hiqet mëditja

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, po obligohen të jenë pjesë e votimeve të projektligjeve ose në të kundërtën do t`u hiqen mëditjet.

Këtë vendim e ka marrë nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti për shkak të mungesës së kuorumit për të votuar projektligjet të cilat u shqyrtuan gjatë ditës së enjte.

“Dua të ju paralajmëroj tani që në ora 15 : 30 është votimi i ligjeve që i kemi miratuar në lexim të parë. Kanë kohë të gjithë deputetët të vijnë. Të gjithë deputetët që pa arsye nuk janë për të votuar, autorizojë administratën e kuvendit t`u hiqen mëditjet. Nuk ka këtu parti, ka parlament. Kush nuk është e ka mëditjen e hequr”, tha Haliti.

Që nga mëngjesi, deputetët e paktë në seancë parlamentare të së enjtes, kanë diskutuar për gjashtë projektligje që janë sjell për votim nga Ministria e Infrastrukturës, si dhe projektligje të tjera, por  nuk kanë marrë vendim për shkak të mungesës së kuorumit.

KALLXO.com ka raportuar për mungesën e deputetëve të Kuvendit për të votuar këto projektligje.

https://kallxo.com/kuvendi-diskuton-projektligje-por-pa-kuorum-per-votim/