Teuta Haxhiu (AAK). Foto: Kallxo.com

Xhavit Haliti ia ndalë fjalën deputetes së AAK-së

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Lista Serbe, Sasha Milosavljeviq, ka kërkuar shtyrjen e votimi të Ligjit për Liritë Fetare në njërën nga seancat e ardhme të Kuvendit të Kosovës. Kjo kërkesë bëri që nënkryetari i Kuvendit të Kosovës t’ia ndal fjalën deputetes së AAK-së, Teuta Haxhiu.

“Kemi vërejtje në disa prej amendamenteve dhe të gjithë e dimë që ky ligj nuk mund  të kalojë pa mbështetjen e Listës Serbe. Ne duam që ky ligj të miratohet por na duhet edhe pak kohë që t’i harmonizojmë qëndrimet rreth disa amendamenteve që kanë ndryshuar nga dita në ditë”, tha Milosavljeviq.

Pas debatit, deputetët e Kuvendit kanë shtyrë diskutimin dhe votimin e këtij ligji. Kur mori fjalën për të kundërshtuar këtë shtyrje, deputetes së AAK-së, Teuta Haxhiu iu ndal fjala nga nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti.

“Jo jo, ndalja, e kemi kaluar, e kemi votuar. Herën tjetër, kur ta miratojmë”, tha Haliti.

Por kundërshtimet e deputetes Haxhiu erdhën pa iu dhënë fjala nga nënkryetari Haliti. Ky i fundit iu drejtua duke ia bërë me dije se ai ka të drejtë t’ia ndalë fjalën.

“Teuta, më vjen keq por unë nuk mund të rikthehem në rend të ditës. Është dashtë me ndejtë në sallë dhe me e kërku fjalën jo. Ti erdhe prej atje me vrap. Ta ndali fjalën, qysh nuk ta ndali, për qatë punë unë jam këtu. Po bre valla”, tha Haliti.