Xhavit Haliti - Foto: Facebook

Xhavit Haliti i hyn garës për kryetar të PDK-së në Pejë

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, ka njoftuar se do t’i hyjë garës për kryetar të degës së PDK-së në Pejë.

Xhavit Haliti ka thënë se e ka shpallur kandidaturën pas kërkesave e sugjerimeve të anëtarëve, votuesve dhe simpatizantëve të PDK-së.

“Vullneti, angazhimi dhe puna e juaj serioze për të mirën e PDK-së, paraqesin motiv shtesë për mua që delegatëve t’ju kërkoj besimin që ta drejtoj këtë degë edhe për katër vite të tjera”, ka shkruar Haliti në profilin e tij në Facebook.

Ky është postimi i plotë i Xhavit Halitit:

Të dashur anëtarë, votues dhe simpatizantë të PDK-së në Pejë,

Pas shumë kërkesave, sugjerimeve të vazhdueshme dhe bisedave të sinqerta me ju, sot edhe zyrtarisht e kam shpallur kandidaturën time për kryetar të Degës së PDK-së në Pejë.

Vullneti, angazhimi dhe puna e juaj serioze për të mirën e PDK-së, paraqesin motiv shtesë për mua që delegatëve t’ju kërkoj besimin që ta drejtoj këtë degë edhe për katër vite të tjera.

Unë besoj fuqishëm se pas një pune të madhe të përbashkët në terren, që kemi bërë këto ditë, ku për herë të parë janë themeluar mbi 50 nëndegë, PDK-ja në Pejë do të jetë më unike, më e besuar, si dhe më e votuar se sa ndonjëherë më parë nga qytetarët.

Zotohem se me gërshetimim e gjeneratave, përkatësisht përvojës së veprimtarëve të hershëm dhe ideve inovative të veprimtarëve të rinj, PDK-ja në Pejë do të jetë kryefjala e Dekadës së re në Kosovë.

Ju faleminderit nga zemra për angazhimin, mbështjetjen dhe rrugëtimin tonë të përbashkët edhe në të ardhmen!

I juaj,
Xhavit Haliti