Xhafer Tahiri,. Foto: Kallxo.com
Xhafer Tahiri ia ndërroi vjehrrit vendin e punës
Kryetari i komunës së Vushtrrisë ia ka ndërruar vendin e punës ‘baballakut’ nga komuna në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Vushtrri, në pozitën e zyrtarit për financa.
Në sqarimin e kryetarit të Komunës së Vushtrrisë të dhënë për KALLXO.com thuhet se Mexhit Perquku ka punuar në komunën e Vushtrrisë që nga viti 1984, si shef për Buxhet, Zyrtar Kryesor Financiar dhe shef i Sektorit për Zhvillim dhe Ekonomi.
“Transferimi i zyrtarit ka ndodhur në përputhje të plotë me ligjin në fuqi, me miratim të Ministrisë së Shëndetësisë. Pozita në QKMF ku është transferuar ka qenë e lirë, pra nuk ka zënë pozitën e asnjë zyrtari tjetër”, tha Tahiri për KALLXO.com
Tahiri ka treguar për KALLXO.com arsyen e transferimit.
“Ky transferim ka ndodhur edhe për të shmangur çdo pretendim për konflikt interesi në administratën e Komunës pasi që zyrtari Mexhit Perquku është babai i bashkëshortes sime”, tha Tahiri për KALLXO.com.
Për pozitën e zyrtarit financiar në QKMF në Vushtrri ishte hapur konkurs me 5 dhjetor 2017, por këtë konkurs e kishte anuluar kryetari i Komunës së Vushtrrisë me 11 janar të këtij viti.
“Anulimi i këtij konkursi bëhet për shkak se nuk janë respektuar procedurat sipas nenit 4 dhe 7 të Udhëzimit Administrativ ( MPMS) NR.07/2017 për Rregullimin e Procedurave të Konkursit në Sektorin Publik”, thuhet në njoftimin për anulimin e konkursit.
Mexhit Perquku, i kontaktuar nga KALLXO.com, ka deklaruar se ai nuk ka kurrfarë përfitimesh nga ky transferim, pasi që në QKMF ai do marrë pagë më të ultë se sa në komunë.
“Unë s`kam kurrfarë përfitimesh nga kjo. Pagën që e marrë në QKMF është më e ultë se sa ajo që kam marrë në komunë”, ka thënë Perquku.