Xhabir Hamiti e Quan Zhurmë Peticionin për Xhaminë

Pasi dje nisi një peticion kundër zgjidhjes arkitektonike për xhaminë që do të ndërtohet në Prishtinë, ka reaguar me një postim në Facebook Xhabir Hamiti, profesori i Fakultetit të Studimeve Islame.

Për Hamitin ndërtimi i xhamisë është nevojë e komunitetit islam të Prishtinës, ndërsa “Peticioni kundër, është një hap i cili nuk ka asnjë arsye dhe argument të bazuar”.

Hamiti më tutje konstatoi se shijet e njerëzve nuk janë të njëjta për asnjë objekt.

“Është e kuptueshme se perzgjidhjet arkitekturale nuk janë gjithmonë të pëlqyera nga të gjithë, e as që shikohen me shijen e njëjtë. Lulet, jo të gjithë i shohim dhe i përjetojmë njëjtë”, shkroi Hamiti.

Hamiti e konsideron zhurmë të panevojshme peticionin kundër xhamisë dhe debatin që erdhi pas tij.

“Unë, nuk arrij të kuptoj këtë zhurmë të panevojshme sot. Nëse plotësimi i kushteve urbanistike është arritur në plotëni, pse të ketë peticion?!”, pyet Hamiti.

Çështjen e xhamisë Hamiti e konsideron punë të Komunës së Prishtinës dhe Bashkësisë Islame të Kosovës.

“Nuk është e nevojshme që publikun ta ngarkojmë me një çështje, e cila është detyrë e këtyre dy institucioneve zyrtare”, vijoi reagimi i Hamitit.

KALLXO.com shkroi dje për peticionin në të cilin kërkohet që të mos lejohet ndërtimi i xhamisë me planin e paraparë, pasi sipas nënshkruesve të tij ai është në kundërshtim me planin rregullues të Lagjes Dardania.