Wolfgang Petritsch tregon pse nuk e kundërshton ndërrimin e kufijve Kosovë- Serbi

Ideja e një kompromisi në mes të liderëve të Kosovës dhe Serbisë në raport me një marrëveshje ndërshtetëore nuk po duket e keqe nga diplomati austriak Wolfgang Petritsch, edhe nëse nënkupton ndërrimin e kufijve.

Petritsch në një intervistë me Jeta Xharrën foli lidhur me qëndrimet e popujve dhe shteteve lidhur me bisedimet që presidentët e Serbisë dhe Kosovës po bëjnë në raport me atë që po quhet dialogu final mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai tha se se në parim është kundër një shkëmbimi territoresh mirëpo thotë se nëse liderët pajtohen, mund t’i dëgjojnë detajet.

“Ajo që ka ndodhur është se unë jam një nga të paktit që kur u paraqit kjo ide, për të cilën për herë të parë kam dëgjuar nga pala kosovare, unë nuk i takoj njerëzve të cilët automatikisht i kanë thënë JO paraqitjes së kësaj ideje. Pse? Sepse unë besoj që kjo është hera e parë që më bie ndërmend kur në rastin e shkëmbimit të kufijve, të dy palët kanë vendosur ta shqyrtojnë këtë çështje bashkërisht. Siç e dini, nga historia e Ballkanit, korrigjimi apo i ashtuquajturi korrigjim i kufijve ka qenë gati i përgjakshëm dhe i njëanshëm. Edhe vendimi i fundit i Kosovës për t’u bërë e pavarur ka qenë natyrisht një vendim i njëanshëm por ka qenë e pranuar, duke përfshirë edhe nga unë dhe nga mbi 100 vende të botës”, tha Petritsch.

Intervistën e plotë mund ta dëgjoni në linkun e mëposhtëm: