VV: Thaçi po ndihmon realizimin e agjendave ruse

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur një konferencë për media në lidhje me bisedat e fundit të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev i cili ka zbuluar detaje lidhur me idenë e shkëmbimit të territoreve në mes Kosovës dhe Serbisë.

Deputeti i kësaj partie, Rexhep Selimi tha se në këto biseda Zaev shpreh shqetësimin se Thaçi po vepron për agjendat ruse.

“Në këto bisedat që duken që janë bërë në vjeshtën e kaluar , Zaev shpreh shqetësimin e drejtpërdrejt se presidenti i Kosovës përmes planit për copëtimin e Kosovës dhe ndryshimit të kufijve po vepron sipas skenarit të Moskës. Kryeministri maqedon është i shqetësuar për hallin e Kosovës”, tha Selimi.

“Janë dhjetëra veprime të Thaçit në dëm të Kosovës, por ato që po dëgjojmë nga Zaevi duhet të na shqetësojnë të gjithë ne, jo vetëm qytetarëve të Kosovës, institucionet por edhe aleatët tanë strategjik referuar këtu planeve të fshehta të Thaçit dhe Vuçiqit si realizim i agjendave ruse në rajon”, ka shtuar ai.

Tutje Selimi tha se Thaçi duhet të largohet në mënyrë që sipas tij të shpëtoj vendi, duke kërkuar zgjedhje në vend.

“Thaçi me Serbinë ka edhe konflikt interesi si shantazhuar po vepron në interes të Serbisë, prandaj duhet t’i ndalohet përfaqësimi i Kosovës aq më tepër me Serbinë. Ju bëjmë thirrje forcave politike që të shkojmë në zgjedhje dhe të krijojmë kushte që ky president sa më shpejtë të largohet, sa më parë aq më mirë do të jetë për Kosovën për këto plane të këqija dhe të fshehta”, deklaroi ai.

Kryeministri i Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev ka rënë pre e disa satiristëve rus që kanë kanë inçizuar dhe publikuar një bisedë telefonike me të.

Zoran Zaev, duke menduar se po flet me ish-Presidentin e Ukrainës, Petro Poroshenko, foli lidhur me bisedat sekrete në mes të Presidentit të Kosovës dhe atij të Serbisë. Ai po ashtu foli lidhur me ndikimin e Rusisë në Ballkan dhe implikimet e këtij ndikimi gjerësisht në Europë.

https://kallxo.com/pergjimi-i-zaev-it-thaci-e-vuciqi-negociuan-per-ndryshim-kufijsh/

.