Pamje nga një mbledhje e KQZ-së - Foto: KALLXO.com

VV: Thaçi po e Mban Peng Funksionalizimin e KQZ-së

Përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje kanë kritikuar Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi për zvarritjen e procesit të emërimit të përfaqësuesve politikë për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, mandat ky i cili u ka përfunduar më 27 mars.

Në një konferencë për media, ish anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Adnan Rrustemi tha se presidenti Thaçi po e mban peng konstituimin dhe funksionalizimin e KQZ-së duke dërguar shkresa te Kryetari i Kuvendit të Kosovës.

“Krejt çka ka bërë Presidenti në prag të këtij afati, i ka dërguar një shkresë Kryetarit të Kuvendit përmbajtja e së cilës përveçse nuk është bërë publike, synon ta zhvendosë qëllimshëm çështjen e emërimit të anëtarëve të KQZ-së në një terren që as nuk parashihet nga ligji, por edhe ngërthen tendenca të qarta antikushtetuese”, tha Rrustemi.

Sipas tij, krejt ky veprim i Thaçit po bëhet për shkak se PDK-ja nuk do t’i ketë dy anëtarë të saj në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve siç i ka pasur deri më tani.

“Duket që ky proces po zvarritet nga Presidenti Thaçi sepse në bazë të rezultatit të 11 qershorit, PDK-së, kryetar i së cilës ishte Hashim Thaçi nuk i takojnë dy anëtarë siç ishin deri më tani, por vetëm një, respektivisht dy anëtarë si PAN, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje do t’i ketë dy anëtarë në KQZ sikurse edhe LAA do t’i ketë dy po ashtu”, deklaroi Rrustemi.

Ish anëtari i KQZ-së nga LVV tha se ky subjekt politik së shpejti do t’i bëjë publike dy nominimet për anëtarë të KQZ-së, ndërsa tha se pret që brenda afatit ligjor prej pesë ditësh, Presidenti Thaçi të emërojë anëtarët e këtij institucioni.

KALLXO.com ditë më parë pati raportuar për përfundimin e mandatit të kryesueses dhe anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Ish- kryesuesja Valdete Daka kishte shprehur dëshirën e saj për të udhëhequr sërish KQZ-në, ndërsa ish anëtarët e këtij Komisioni kishin thënë se propozimi për emërim u takon Grupeve Parlamentare të subjekteve politike në Kosovë.

http://kallxo.com/kryesuesja-dhe-anetaret-e-kqz-se-ne-diten-e-fundit-te-mandatit/

Gjatë konferencës ka folur edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, i cili ka thënë se Presidenti Thaçi në vend se të merret me çështjet e tija kushtetuese, po merret me shantazhime, kërcënime dhe likuidime.

“Këtë ai mundet me e bë në një vend siç është Kosova që është e kapur tërësisht nga klika e tij. Ai e ka ngulfatur sistemin e drejtësisë. Sot ne nuk kemi asnjë prokuror, asnjë gjyqtar që është në gjendje me e kapë atë dhe me e fut në burg për veprimet që i ka bërë kohëve të fundit, sidomos me shpifjet e ditëve të fundit në mënyrë të drejtpërdrejtë në media”, tha Kurteshi duke lënë të kuptohetse po flet për deklarimet e fundit të Presidentit Thaçi për financimin e Vetëvendosjes nga Irani.

http://kallxo.com/thaci-agjenda-e-kurtit-perputhet-ate-te-beogradit/