VV: Telekomi nuk është në krizë, mungon menaxhimi adekuat

Ekspert të çështjeve për shërbime elektronike dhe postare në Lëvizjen Vetëvendosje kanë mbajtur një konferencë për media për krizën në Telekomin e Kosovës.

Fatban Bunjaku nga LVV ju drejtua kryeministrit Haradinaj se një kompani ka shprehur interes që ta menaxhojë Telekomin, por që sipas tij, Telekomi nuk po bankroton dhe nuk është i bankrotueshëm.

“Qeveria Haradinaj larg syve të publikut po tenton që në mënyrë të fshehtë të gllabëroje çështjen e Telekomit. Kjo kontratë nuk është dashur të lidhet fare. Qeveria në këtë formë po tenton të duket si një aksionar i përgjegjshëm. Te premten me një dalje publike Haradinaj tha se gjendja në Telekom është e vështirë dhe vetëm një mrekulli e kthen atë. Referuar në raportet e operatorit situata në muajin e parë dhe të dytë është në përmirësim e sipër”, tha Bunjaku.

“VALA i ka 970 mijë abonentë aktiv. Aktualisht VALA i shfrytëzon vetëm 30 mijë porte. Nuk është e zymtë situata në këtë sektor z. kryeministër. Një kompani ka shprehë interes ta menaxhojë Telekomin e Kosovës. Telekomi nuk po bankroton dhe nuk është i bankrotueshëm”, shtoi ai.

Sipas Bunjakut, ndërprerja e energjisë elektrike po ndërlidhet edhe me funksionin e VALA-s.

“Jemi dëshmitarë që gjatë kësaj jave kemi pasur ndërprerje të energjisë elektrike por në këtë çast edhe VALA u ndërpre.  Telekomi pa ndalur po vazhdon të i paguaj faturat e kompanive të ndryshme. Telekomi merr vendim të sponsorizoj një klub sportiv prej 600 mijë euro derisa edhe është në krizë”, tha mes tjerash ai.

Vetëvendosje edhe në këtë konference e ka akuzuar ushtruesin e detyrës si kryeshef ekzekutiv, Trim Musliu për jo profesionist dhe pa kurrfarë kompetenca për këtë post.