VV: Tekstet e reja shkollore përsëri me gabime, procesi të fillojë nga zero

Lëvizja Vetëvendosje në një konferencë për media ka thënë se drejtuesit e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë përpilimin e teksteve të reja shkollor janë duke e përdorur për interesa me kompanitë private botuese.

E për këtë arsye ata kanë kërkuar që ky proces të kthehet që nga fillimi dhe se njoftuan që do të thërrasin seancë të jashtëzakonshme për këtë.

Deputeti i kësaj partie dhe kryetar i Komisionit për Arsim, Ismajl Kurteshi tha se MAShT kanë qenë të interesuar “të hapin një tender më shumë sesa një konkurs përmbajtësor që do ta zgjidhje një problem të madh”.

“Vlera e këtij tenderi diku rreth 10 milionë euro dhe lista përfundimtare e teksteve që do të votohen është 46 kurse 30 prej tyre i ka fituar vetëm një shtëpi botuese ajo “Dukagjini” kurse të tjerat 16 që e konsiderojmë të padrejtë”, tha deputeti.

Kurteshi kërkoi që procesi i përpilimit të teksteve të reja të kthehet nga fillimi.

“Procesi të kthehet në zero për të realizuar atë që është qëllim publik dhe i nxënësve dhe sugjerojmë ministrinë që të mos ngutet me i nënshkruar kontratat por të pret analizat, vërejtjet e ekspertëve dhe të Komisionit për Arsim”, tha ai.

Ndërsa, deputetja e Lëvizjes Arbërie Nagavci tha se sipas ekspertëve tekstet e reja kanë gabime përmbajtësore, didaktike dhe teknike.

“Kanë pasaktësi shkencore, përzierje konceptesh dhe gabime të tjera. Nuk ka tematikë e ushtrime që nxisin ndërthurjen e dijeve të fushave të ndryshme ndërkurrikulare. Ka raste kur recensenti ka rekomanduar që teksti të mos licencohet dhe megjithatë teksti është shpallur fitues. Vetëm në njërin prej teksteve janë numëruar 39 gabime faktike por recensentëve u është kërkuar të mos i bëjnë publike lëshimet”, tha Nagavci.

Ajo shtoi se Këshilli për tekstet nuk nxori raport përfundimtar për shpalljen e fituesve dhe nuk ishte i përfshirë në asnjë fazë të procesit të vlerësimit, ndonëse e ka për detyrim ligjor.

“Përgjegjësia jashtëligjshëm u bart në individë brenda kabinetit të Ministrit. Ministria tashmë e ka pranuar se disa tekste po botohen pa miratimin e Këshillit edhe pse nuk kanë kompetenca për një gjë të tillë. Ministria e ka pranuar një gjë të tillë”, tha Nagavci.

“Prandaj, do të thërrasim një seancë të jashtëzakonshme për t’u siguruar që Ministri nuk vijon më tej me këtë proces dhe nuk e fut qeverinë në obligime të mëtejshme ligjore e financiare”, tha në fund ajo.

Publikohen shtëpitë botuese dhe autorët që do të merren me tekstet e reja shkollore

.