VV në Prishtinë akuzon Shpend Ahmetin për keqpërdorim në tenderin e qumështit

Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë ka mbajtur një konferencë për media, ku ka akuzuar kryetarin e Prishtinës Shpend Ahmeti, se ka dëmtuar buxhetin e Komunës për 500 mijë euro, në tenderin për blerjen e qumështit për shujtat e fëmijëve nga klasa e parë në të pestën.

Asambleisti i VV-së në Komunën e Prishtinës, Eman Rrahmani ka thënë se në vitin 2014 i njëjti tender e ka pasur vlerën 200 mijë euro, ndërsa në vitin 2017 ka kushtuar 730 mijë euro.

‘’ Kur në vitin 2014, Lëvizja VV mori mandatin e Komunës së Prishtinës, një nga premtimet kryesore ishte që fëmijëve të këtyre paraleleve të iu sigurohej një shujtë, bashkë me shujtë edhe një qumësht i vogël. Menjëherë në atë kohë patëm shpallë tenderin, dhe oferta për një qumësht ka qenë 10 cent, fitues i tenderit ka qenë Devolli Group Sh.p.k., me qumështin ‘Vita’ dhe vlera e përgjithshme e kontratës ka qenë 200 mijë euro. Në vitin 2017, i njëjti tender me të njëjtin numër të njësive, për të njëjtin numër të nxënësve, i ka kushtuar Komunës së Prishtinës 730 mijë euro’’, ka thënë Rrahmani.

Sipas tij, në tenderin e vitit 2017, kompania prodhuese nuk merr fare pjesë në tender, ndërsa fituese shpallet një komani tjetër me bazë në Maltë, me të njëjtin produkt dhe të njëjtin paketim.

‘’ Tenderin e fiton kompania Abrazen LTD, me vendodhje në Maltë, vend i cili njihet si një nga parajsat fiskale. Nga të dhënat në ARBK, shihet qartë që kjo kompani është lidhur direkt me kompaninë Devolli. Edhe pse në mes të dy tenderëve në fjalë, TVSH për qumështin është zvogëluar oferta e kësaj kompanie dyfishohet në 19.4 cent’’, ka deklaruar Rrahmani.

Ai iu ka bërë thirrje prokurorisë që të fillojnë sa më shpejtë hetimet dhe të ndalet keqpërdorimi i buxhetit të Prishtinës.

04 Janar 2019 - 12:18

Egzon Dahsyla 04/01/2019 - 12:18
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend