Foto: VV

VV në Drenas: Kryeministri vodhi buxhetin e shtetit dy herë

Lëvizja Vetëvendosje sot ka mbajtur tubimin e radhës në komunën e Drenasit.

Në njoftimin e VV-së në Facebook, është thënë se kryeminstri i PANqeverisë, Ramush Haradinaj kishte rritur pagën e tij me arsyetimin për të mos vjedhur, mirëpo sipas VV-së, ai filloi me punësimin e familjarëve të PAN-it në borde të ndërmarrjeve e institucioneve publike.

Tutje thuhet se ‘ky kryeminstër dy herë i gënjeu qytetarët e vendit, e dy herë i vodhi buxhetin e shtetit’, e këtë sipas tyre, e ka arritur përmes rritjes së pagës vetes, dhe përmes punësimeve familjare.

“Dhjetra storie televizive, qindra fakte dhe atë të pranuar nga vetë zyrtarët politik për punësimet korruptive me ndikim partiak dhe ende asnjë aktakuzë apo ftesë nga prokuroria. Kjo është vula e kapjes së shtetit. Kryeprokurori i Prontomafisë nuk mund të sjell drejtësi.”, është shkruar në njoftim.

Ndërkaq, në tubimin e sotëm në Drenas thuhet se ‘është theksuar nevoja për një shtet të së drejtës ku Kryeprokurori i përgjigjet vetëm Kushtetutës dhe jo shefave, ndërkohë që punësimet bëhen me meritokraci pa kriter mbiemrin e partinë’.

“Kudo në Kosovë po shohim një shpresë, se këtyre politikanëve e kësaj lloj qeverisje po i vjen fundi. Së bashku do të ndërtojmë frymën dhe do ta bëjmë ndryshimin.”, është thënë tutje.