VV Mbetet me Vetëm Një Komunë

Dorëheqjen nga Vetëvendosje, e konfirmoi mbrëmë edhe i pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Ai këtë e arsyetoi me mospajtimet brenda kësaj partie. Ahmeti ndër tjerash ka deklaruar se nga asambleistët e Vetëvendosjes në Komunën e Prishtinës, nuk do të iu kërkojë që të bëjnë asgjë karshi vendimit të tij.

Shpend Ahmeti është kryetari i dytë i një komune nga radhët e LVV-së që ka dhënë dorëheqje.

Këtë e ka bërë edhe Kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati në muajin janar.

Në zgjedhjet komunale të vitit 2017, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar në tre komuna, Prishtinën, Kamenicën dhe Prizrenin.

Duke marrë parasysh faktin se kryetari i Prishtinës dhe Kamenicës kanë dhënë dorëheqje, atëherë vetëm komuna e Prizrenit do ta ketë kryetarin nga radhët e LVV-së, Mytaher Haskukën.

Dorëheqje nga Lëvizja Vetëvendosje ka dhënë fillimisht deputetja Aida Dërguti, më pas edhe kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, nënkryetari Dardan Sejdiu, e deputetët Shqipe Pantina, Faton Topalli, Dardan Molliqaj, Frashër Krasniqi, Driton Çaushi dhe anëtari i Kryesisë Zgjim Hyseni.