VV komenton moskthimin e pajisjeve nga Sami Kurteshi

KALLXO.com javën e kaluar publikoi artikullin ku konfirmohet që deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, ende i shfrytëzon asetet e zyrës së Avokatit të Popullit, institucion të cilin e kishte drejtuar në të kaluarën.

Sami Kurteshi posedon një smartphone dhe një iPad që i takojnë zyrës së Avokatit të Popullit të cilat thotë se as që e ka ndërmend t’i kthej ani pse kanë kaluar 3 vite prej që ai nuk është më në krye të këtij institucioni.

Mirëpo Lëvizja Vetëvendosje ka hequr përgjegjësinë nga vetja, duke thënë se meqë po bëhet fjalë për një çështje e cila ka ndodhur gjatë kohës sa Kurteshi nuk ka qenë pjesë e Vetëvendosjes, nuk ka të bëjë me këtë parti. Ata tutje thonë se kjo mund të zgjidhet bashkërisht në mes të Kurteshit e Zyrës së Avokatit të Popullit.

“Kjo është një çështje që i takon atij dhe nuk ka të bëjë me Lëvizjen dhe është fjala për një kohë kur nuk ishte në organizatën tonë. Pra është një marrëdhënie e z. Kurteshi me institucionin që ka punuar. Ata mund ta zgjidhen bashkë këtë rast”, tha për KALLXO.com, zëdhënësja e Vetëvendosjes, Tinka Kurti.

https://kallxo.com/sami-kurteshi-nuk-ia-kthen-telefonin-dhe-ipadin-zyres-se-avokatit-te-popullit/

Përveç Kurteshi ka edhe zyrtarë tjerë që s’i kanë kthyer pajisjet. Ndër ta është edhe zëvendës ministrit Gjergj Dedaj që nuk e kishte kthyer një laptop.

Madje, MAPL e kishte dërguar edhe në Polici pasi që nuk e kishte kthyer një laptop që i takon Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal.