Kuvendi i Kosovës (Arkiv). Foto: Atdhe Mulla

VV Kërkon Dorëheqjen e Qeverisë dhe Zgjedhjet të Reja

“Vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Çdo vonesë në këtë drejtim e rëndon gjendjen politike, ekonomike dhe sociale të vendit. Demokracia është zgjidhja. Qeveria duhet ta japë dorëheqjen”, thuhet në reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje pas ndërprerjes së seancës së sotme.

Vetëvendosje thotë se Qeveria ka rënë edhe moralisht edhe me numra, e sipas saj tash duhet të bjerë edhe formalisht.

Sipas tyre, Kuvendi i Kosovës, si institucioni më i lartë dhe i rëndësishëm tash e sa kohë është bllokuar nga deputetët e koalicionit qeverisës që nuk e lejojnë vendimmarrjen dhe zhvillimin normal të punimeve të Kuvendit.

“Bllokimi i seancës së sotme të Kuvendit nuk ishte rasti i parë, por një praktikë e përsëritur rëndomtë që prej fillimit të vitit 2018. Debati për seancën e mbajtur sot në lidhje me interpelancën kundër rritjes së jashtëligjshme të pagave të qeverisë dhe për nevojën për rritjen e pagës minimale, është shtyrë tri herë. Sakaq, votimi për rezolutën e propozuar për këtë interpelancë është shtyrë dy herë”, thuhet në reagim.

Tutje VV thotë se edhe për çështje të tjera, deputetët e koalicionit qeverisës marrin pjesë në fillim të seancave të Kuvendit por pastaj nuk votojnë dhe kështu pamundësojnë kuorumin në votim dhe bllokojnë punimet.

“Në fillim të seancës së sotme kishte kuorum, por më tej punimet u ndalën sepse votimi nuk përmbushi kuorumin edhe pse mori shumicën e votave të atyre deputetëve të opozitës që votuan. Deputetët e koalicionit qeverisës bëjnë numra akrobatikë në Kuvend gjatë votimeve për të prishur kuorumin, sepse koalicioni qeveritar thjesht nuk i ka numrat e votave në Kuvend për ta mbajtur veten në pushtet”.

Vetëvendosje thotë se koalicioni ka rënë tashmë edhe moralisht edhe me numra në Kuvend dhe mbahet në pushtet me zor dhe padrejtësisht, siç shprehen ata ‘Qytetarët e Republikës së Kosovës nuk mund të mbeten peng e një koalicioni të tillë pushteti krejtësisht të dështuar e të papërgjegjshëm, që po bllokon vendimmarrjen në Kuvend’.

“Vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Çdo vonesë në këtë drejtim e rëndon gjendjen politike, ekonomike dhe sociale të vendit. Demokracia është zgjidhja. Qeveria duhet ta japë dorëheqjen”, përfundon reagimi.