VV e dërgon në polici rastin e Osman Ejupit për punësimin e katër fëmijëve në Telekom

Lëvizja Vetëvendosje ka dërguar në polici rastin e anëtarit të Bordit të Telekomit të Kosovës, Osman Ejupi, i cili në qershor të viti të kaluar ka punësuar katër fëmijët e tij në Telekomin e Kosovës.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiiu ka njoftuar se rastin e kanë drejtuar në Drejtorinë e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Policinë  e Kosovës.

“Qytetarët kanë humbur besimin në institucione sepse ndonëse ata aplikojnë për një vend pune, atë paraprakisht e ka zënë ose është i rezervuar për ndonjë familjar apo militantët e partive në pushtet. Kësisoj e kanë shkatërruar edhe Telekomin edhe gjitha institucionet/agjensionet/bordet tjera”, ka shkuar Haxhiu.

Ajo tutje ka shtuar se shpresa e qytetarëve do të kthehet vetëm kur ka drejtësia e barazi, por për këtë organet e sigurisë dhe drejtësisë nuk duhet të heshtin.

Në kërkesën e dërguar në Policinë e Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje thuhet se i dyshuari ka ndikuar në punësimin e katër fëmijëve të tij.

“I dyshuari Osman Ejupi është zgjedhur anëtar i Bordit të Ndërmarrjes Publike Telekomit të Kosovës me 29 mars 2018, i dyshuari pas dy muaj e gjysmë nga përzgjedhja në pozitën e caktuar në ndërmarrjen publike, në mënyrë direket apo indirekte ka ushtruar ndikim në punësimin e katër fëmijëve të tij”, thuhet në kërkesë.

Tutje thuhet se i dyshuari duke shkelur të gjitha standardet morale, etike dhe ligjore brenda muajit qershor të vitit 2018 ka punësuar të katër fëmijët e tij si agjent të shitjes ku paga e tyre sillet nga 800 euro.

Për rastin e Osman Ejupit, ka reaguar edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, i cili ka thënë  se përmes një postimi në profilin e tij në Facebook tha se nëse vërtetohet një gjë e tillë, do të kërkojë shkarkimin e Ejupit.

“Lidhur me rastin e anëtarit të bordit të Telekomit të Kosovës që, sipas KTV, ka punësuar 4 fëmijët e vet në Telekom brenda 1 muaji: Ne sot kemi kërkuar të vërtetohet kjo informatë dhe nëse del të jetë ashtu, si ministër i linjës do të kërkoj menjëherë shkarkimin e anëtarit të bordit në mbledhjen e ardhshme të qeverisë. Nepotizmi dhe ushtrimi i ndikimit në punësim janë vepra të patolerueshme. Praktika të tilla janë në kundërshtim me ligjin për ndërmarrjet publike dhe ligjin e punës”, ka shkruar Lluka.